Universiteti i Tetovës edhe përkundër pandemisë globale të Covid-19, e vazhdon veprimtarinë e tij dhe përkujdesjen maksimale ndaj studentëve. Sikurse deri më tani, që janë realizuar ligjëratat online dhe janë organizuar edhe disa aktivitete të tjera arsimore dhe shkencore përmes komunikimit online, Universiteti ynë është angazhuar edhe në mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me studentët, të cilët janë në mobilitet dhe studimet e tyre i ndjekin në universitete të ndryshme ndërkombëtare, në kuadër të programeve për mobilitet.
Zyra për bashkëpunim ndërkombëtar, kujdeset për ecurinë e suksesshme të këtij bashkëpunimi, me universitetet pritëse të studentëve tanë dhe vijon me kontakte të rregullta për mbarëvajtjen e procesit të tyre mësimor në universitetet nikoqire.
Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, Gentrit Rushiti, Fatbardha Tërstena dhe Kaltrina Sejdiu vazhdojnë t’i ndjekin studimet këtë semestër në Universitetet e Turqisë, në kuadër të programit Erasmus Plus.
Studentët tanë, përmes një video të shkurtër flasin për eksperiencat e tyre në kuadër të programit Erasmus, mundësitë dhe përfitimet që i sjell. “Këtë semestër, së bashku me koleget e mia jemi studentë të shkëmbimit të programit Erasmus Plus, të përzgjedhur nga Universiteti i Tetovës. Falë bashkëpunimit të mirëfilltë të Universitetit të Tetovës dhe Universiteteve Evropiane gjendemi në kampusin e Universitetit Sbahatin Zaim, në Stamboll të Turqisë. Duke pasur parasysh se drejtimit tonë i nevojitet një angazhim i veçantë në ndërlidhjen e mësimeve teorike – praktike, ku këto të dyja veçse i kemi aftësuar falë punës serioze të profesorëve, asistentëve dhe të gjithë stafit akademik të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, dhe falë kushteve laboratorike që i posedon Universiteti i Tetovës, mirëpo për t’i përforcuar edhe më shumë këto aftësi, programi Erasmus Plus është një zgjidhje adekuate”, shprehet Gentrit Rushiti.
Studentja Fatbardha Tërstena shprehet se programi Erasmus Plus është një mundësi shumë e mirë për të gjitha ata që dëshirojnë t’i zgjerojnë njohuritë e tyre. “Programi Erasmus synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, në një botë me ndryshim të vazhdueshëm. Nëse zgjidhni të jeni pjesë e Programit Erasmus, atëherë ju do të përfitoni një eksperiencë të paharruar. Mundësia për të aftësuar gjuhët e huaja, mundësia për njohjen e kulturave të ndryshme, ku të gjitha këto, përveç aftësive profesionale, do t’u shërbejnë të zhvilloni edhe aftësi sociale. Për të përfituar nga programi Erasmus duhet të keni një mesatare të lartë, ndërsa për pjesën financiare përkujdeset vetë programi. Varësisht nga universitetet që ju zgjidhni do të keni aktivitete të shumta edukative–sociale”, theksoi mes tjerash Fatbardha Tërstena.
Ndërsa studentja Kaltirna Sejdiu, në mesazhin e saj ka bërë thirrje deri te maturantët, që studimet e tyre t’i vazhdojnë në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës. “Për të gjithë ata maturantë që dëshirojnë të jenë studentë të ardhshëm, dyert e Universitetit të Tetovës janë të hapura. Ndër zgjedhjet e shumta që ofron ky Universitet është edhe Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Në këtë drejtim ju do të kyçeni drejtpërsëdrejti në proceset e përpunimit të ushqimit, kontrollin e ushqimit, analizat ushqimore, praktika profesionale, si dhe vizita të ndryshme edukative-akademike. Secila nga këto është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit jetësor të secilit prej nesh. Duke u nisur nga ushqyerja tri herë në ditë e shohim rëndësinë e kësaj fushe në një vend dhe për të gjitha grupmoshat e popullsisë”, tha Kaltrina Sejdiu.
Eksperiencën e saj në kuadër të programit Erasmus Plus e ka shprehur edhe studentja Drita Shahini. “Dua ta falënderoj Universitetin e Tetovës, që na ka mundësuar shkëmbimin për disa semestra në vende të ndryshme të mbarë botës. Unë pata fatin që të fitoj një bursë në Universitetin Yades Teknik të Stambollit nëpërmjet programit Erasmus Plus. Eksperienca ime në Turqi është pak nëse i them perfekt, sepse aty jo vetëm që i zgjerova njohuritë e mia studentore, por edhe pata rastin të njoh njerëz të ndryshëm nga bota. Universiteti ku unë isha bënte pjesë në një nga universitetet më të mira në Turqi dhe jo vetëm në Stamboll, ata posedonin një kuadër mjaft të përgatitur, si me profesorë ashtu edhe me laboratorë, që posedonin për degë të ndryshme. Shpresoj që programi Erasmus Plus të vazhdojë edhe më tej me misionin e tij dhe sa më shumë studentë ta përjetojnë këtë eksperiencë, sepse asnjëherë nuk do të mbeten të zhgënjyer”, shtoi më tej Drita Shahini, studente e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të UT.
Studimet e tyre deridiplomike (një semestër) në universitetet me renome, përmes këtij programi ndërkombëtar për arsim, i ndjekin edhe studentë të tjerë nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Shkencave të Zbatuara dhe Fakulteti i Kulturës Fizike.
Të gjithë studentët e Universitetit të Tetovës, të angazhuar në programin Erasmus Plus, deri më tani kanë qenë shembullorë. Vlen të theksohet se, Universiteti i Tetovës për vitin akademik 2019/2020 nga Agjencia kombëtare për arsimim evropian ka pasur të miratuar 60 mobilitete për studentë dhe 22 mobilitete për stafin akademik dhe administrativ. Deri më tani 22 studentë e kanë shfrytëzuar programin Erasmus gjatë semestrit dimëror (18 për studime dhe 4 për praktikë) dhe 24 studentë në semestrin veror gjatë kohës se pandemisë (22 për studime dhe 2 për praktikë). Shkëmbimi është bërë nëpër shtete të ndryshme evropiane, siç janë: Gjermania, Austria, Spanja, Republika Çeke, Rumunia, Bullgaria dhe Turqia.
Zyra për Informim