Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë Prof. Dr. Nevzat Elezi sot pritën në takim pune drejtorin mjekësor të Spitalit Carl von Basedow Klinikum Saalkreis të qytetit të Meserburgut të Gjermanisë bashkë me kryemjekun e këtij spitali, Dr. Arton Grajqevci.
Në këtë takim, u bisedua për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes dy institucioneve, respektivisht Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Spitalit Carl von Basedow të Meserburgut të Gjermanisë.
Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli e falënderoi Dr. Med. Alexander Schutte dhe Dr. Arton Grajqevci për vizitën dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit tonë.
“Në kuadër të bashkëpunimeve që i kemi me institucionet e ndryshme vendore, por edhe me ato ndërkombëtare, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, sot e zhvilluam këtë takim pune me drejtorin mjekësor të Spitalit Carl von Basedow Klinikum Saalkreis të qytetit të Meserburgut të Gjermanisë Dr. Med. Alexander Schutte dhe me kryemjekun e këtij spitali, Dr. Arton Grajqevci. Takimi është iniciuar falë angazhimit të ambasadorit të vendit tonë në Gjermani Prof. Dr. Ylber Sela dhe ka për qëllim krijimin e një bashkëpunimi real mes Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës dhe Spitalit të Meseburgut. Ne bashkërisht do angazhohemi për thellimin e këtij bashkëpunimi në gjëra konkrete. Bashkë me drejtorin, do të jemi lehtësues të procedurave, ndërsa pikat kyçe ku do të bashkëveprojmë do të hartohen nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë dhe nga Spitali i Merseburgut. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si universitet që studentëve tanë, por edhe stafit, t’u jepet mundësia për të bërë vizita studimore në këtë spital dhe të përfitojnë prej përvojave të mjekëve gjermanë sepse e gjithë kjo do ishte një ndihmesë shumë e madhe në përgatitjen profesionale të kuadrove tona dhe në përfitimin e njohurive të reja nga fushat e mjekësisë” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ndërsa Dr. Med. Alexander Schutte – drejtori mjekësor në Spitalin Carl von Basedow Klinikum Saalkreis shprehu gatishmërinë e tij dhe të spitalit që ai drejton për të ndihmuar studentët dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të UT-së. “Ardhja jonë është falë një kolegut tonë të përbashkët shqiptar me të cilin ne bashkëpunojmë atje Dr. Arton Grajqevci. Ai ishte ura lidhëse për të vënë kontakte komunikimi me Universitetin e Tetovës me Rektoratin dhe Spitalin tonë Carl von Basedow Klinikum Saalkreis gGmbH – Standort që ndodhet në Merseburg të Gjermanisë. Shpresoj që falë këtij komunikimi që sot do ta zhvillojmë, të shohim mundësitë që në të ardhmen ta ndihmojmë Universitetin tuaj respektivisht Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Unë shpresoj që e ardhmja do të na afrojë edhe më shumë në bashkëpunime të mirëfillta sidomos në ndarjen e përvojës sonë dhe vizitat që stafi dhe studentët e Universiteit tuaj mund t’i realizojnë në klinikat e spitalit tonë” – u shpreh drejtori Dr. Med. Alexander Schutte.
Në këtë takim, dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë tha se për fakultetin që ai drejton është shumë i nevojshëm realizimi i praktikës në pjesën paraklinike dhe atë klinike e nëse spitali, përfaqësuesit e të cilit e vizituan UT-në, do jetë në gjendje për të kontribuuar, ky do të ishte një motivacion shumë i madh për studentët tanë të cilët do të përfitonin shumë në aspektin profesional.