Universiteti i Tetovës, si institucioni i arsimit të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë, me një histori të bujshme të themelimit, me rastin e 26-vjetorit të themelimit vendosi pllakate  në të gjitha shtëpitë, pronarët e të cilave, prej 1994 -2004 i hapën dyert e tyre në funksion të Universitetit të Tetovës.

Një pjesë e këtyre shtëpive kanë shërbyer si mësonjëtore të disa njësive akademike të Universitetit tonë, kurse disa tjera janë shfrytëzuar për çështje administrative. Veç shtëpive, në shërbim të Universitetit ka qenë edhe objekti i Myftinisë së Tetovës. Me vendim të Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, është formuar komisioni për verifikimin dhe evidentimin e hapësirave, ku është zhvilluar procesi mësimor në Universitetin e Tetovës në periudhën e viteve 1994 – 2004.

Nisur nga kjo, në vigjilje të shënimit të 26-vjetorit të themelimit, sot Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, senatorët, dekanët si dhe studentët, kanë vizituar pronarët e këtyre shtëpive dhe bashkërisht kanë shpalosur pllakatet, të cilat dëshmojnë kontributin, sakrificën dhe mbështetjen e madhe të popullatës shqiptare për themelimin e Universitetit të Tetovës në krye me themeluesin, Rektorin e parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Me këtë rast Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, pronarit të shtëpisë Haxhi Bari – Ganiut ku është nënshkruar Akti i themelimit të Universitetit, pronarit të shtëpisë ku është zhvilluar veprimtaria e Senatit dhe Unionit Studentor – z Hajredin Demirit, pronarit të shtëpisë ku ishte e vendosur një pjesë e Rektoratit dhe Administratës së Universitetit të Tetovës – z. Asan Hasani, si dhe pronarëve të shtëpive tjera z.Nezaqet Abdullahu, Latif Abdullahu, Abdulla Lika, ua dhuroi portretin e Rektorit historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, bashkë me flamurin e UT-së dhe atë kombëtar si dhe disa botime të revistave shkencore të UT-së, të cilat muaj më parë janë dërguar edhe në qendrat më të rëndësishme botërore të përkthyera në gjuhën angleze.

Ky aktivitet u përmbyll me vizitën që u realizua në Myftininë e Tetovës, ku u përkujtua roli dhe kontributi i Bashkësisë Fetare Islame, gjegjësisht Myftinisë së Tetovës, e cila në vitin 1994 ishte vënë në shërbim të plotë të jetësimit të Universitetit të Tetovës. Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Myftiu i Myftinisë së Tetovës, Prof. Dr. Qani Nesimi, evokuan kujtime nga e kaluara  e UT-së dhe njëkohësisht përkujtuan gjithë ata arsimdashës të të gjitha trevave shqiptare, të cilët kanë kontribuar ndër vite  në ngritjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit arsimor – shkencor të Universitetit të Tetovës.