Në Universitetin e Teknologjisë dhe Ekonomisë të Budapestit në Hungari, më 28 – 29 prill 2022 u mbajt konferenca vjetore e Asociacionit të Universiteteve Evropiane, me temë: “Vlerat universitare çfarë, pse dhe si”. Në këtë konferencë morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga universitete të ndryshme evropiane, ndërsa Universiteti i Tetovës në këtë konferencë u përfaqësua nga kryetari i Senatit të UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, përgjegjësja e Zyrës për menaxhim me cilësinë dhe evalvim, Doc. Dr. Sheruze Osmani, përgjegjësi i Zyrës për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri dhe përgjegjësi i Zyrës për Shkencë dhe Inovacione, Prof. Dr. Agon Memeti.
Kjo konferencë, për drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë nënkupton që vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes së vlerave, si liria akademike, autonomia universitare dhe liria e shprehjes, në mënyrë që të mbeten mjedise që përcaktohen nga liria e mendimit dhe e kërkimit. U konstatua se universitetet duhet të përqafojnë përgjegjësinë e tyre shoqërore, të nxisin një kulturë të integritetit akademik dhe të angazhohen në partneritete që çojnë përpara objektivat e tyre strategjikë duke respektuar parimet dhe vlerat e tyre. EUA 2022 ofroi një platformë për të diskutuar se cilat vlera formësojnë misionet dhe objektivat strategjikë të universiteteve evropiane dhe se si këto vlera ndihmojnë në udhëheqjen e aktiviteteve të tyre. Nëpërmjet sesioneve plenare dhe aktiviteteve të tjera, duke ofruar dhe njohuri mbi masat që universitetet mund të marrin për të siguruar që vlerat e tyre të kuptohen dhe të jetësohen.
Në qendër të vëmendjes së kësaj konference ishin zhvillimet e fundit në Ukrainë, ku u ofrua një pasqyrë se si pushtimi nga Federata Ruse po ndikon në universitetet e Ukrainës, masat e marra nga autoritetet ukrainase dhe komuniteti evropian i arsimit të lartë, duke u rikonfirmuar edhe një herë mbështetja për studentët dhe kolegët nga Ukraina.
Asociacioni Evropian i Universiteteve (EUA) përfaqëson më shumë se 850 universitete. Ky asociacion luan një rol vendimtar në Procesin e Bolonjës dhe ndikon në hartimin e politikave të BE-së për arsimin e lartë, kërkimin dhe inovacionin. Nëpërmjet ndërveprimit të vazhdueshëm me një sërë organizatash të tjera evropiane dhe ndërkombëtare, EUA siguron që zëri i pavarur i universiteteve evropiane të dëgjohet dhe respektohet.