Universiteti i Tetovës është nderuar me mirënjohje nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), në kuadër të manifestimit solemn të organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit dhe veprimtarisë së saj.

Mirënjohja iu dorëzua Rektorit, Prof. Dr. Jusuf Zejnelit, si vlerësim për kontributin e dhënë nga Universiteti i Tetovës, për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Ky vlerësim përbën një dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional dhe të përkushtimit të Universitetit të Tetovës në shërbim të dijes, zhvillimit dhe progresit të përgjithshëm shoqëror.