Stafi akademik i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës (Prof. Dr. Arjeta Amzai, Prof. Dr. Sheherzada Murati, Doc. Dr. Hasim Dehari dhe Doc. Dr. Elsana Aqifi), më 25 dhe 26 mars 2022 mori pjesë në punimet e Konferencës së Tretë Ndërkombëtare, me temë: “Rizbulimi i marketingut në kohën e pandemisë” (ISCOIM 2022), që u mbajt në Durrës të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë veprimtari shkencore të organizuar nga departamenti i Marketingut nga Fakulteti i Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, akademikë dhe hulumtues shkencorë, përfaqësues të biznesit dhe profesionistë të fushës së marketingut, patën mundësi që t’i prezantojnë punimet e tyre, të diskutojnë rreth fushës së marketingut dhe sfidave që kanë lindur si pasojë e pandemisë, si dhe të krijojnë rrjete të reja bashkëpunimi.
Pjesëmarrësit e konferencës së lartpërmendur konstatuan se efektet negative të pandemisë globale kanë përfshirë dimensione të shumta, të cilat reflektojnë në ekonomitë nacionale. Duke marrë parasysh se ekonomitë e vendeve në rajon janë kryesisht ekonomi të vogla, është e kuptueshme se pasojat e zhvillimeve kanë ndikuar në rënien e aktiviteteve të brendshme ekonomike, po ashtu edhe nga reflektimet e ekonomisë globale në përgjithësi. Sipas tyre, për t’i evidentuar pasojat duhen realizuar studime të mirëfillta dhe analiza e autoriteteve kompetente, si faktorë kyç që do të ndihmonin në ringritjen e ekonomive sidomos në shtetet ku pandemia ka qenë më e përhapur.
Konferenca u organizua në partneritet me Universitetin e Tetovës dhe disa universitete ndërkombëtare, kombëtare dhe rajonale, me të cilët njësitë përkatëse akademike zhvillojnë bashkëpunim në kuadër të projekteve të përbashkëta, kërkimeve shkencore etj.