Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës vazhdon të mbetet ndër zgjedhjet më të preferuara për kandidatët që dëshirojnë t’i ndjekin studimet universitare në gjuhën shqipe. Interesimi për programet e këtij fakulteti është i lartë, ndërsa interesim i kënaqshëm vërehet edhe për fakultetet dhe programet e tjera studimore të Universitetit të Tetovës.
Për vitin akademik 2026/2027, UT ka hapur mundësi të shumta për kandidatët që synojnë ta fillojnë apo vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Përveç regjistrimit të studentëve të rinj në ciklin e parë, universiteti ka paraparë edhe mundësi për transferimin e studimeve, rikualifikimin dhe regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve.
Në kuadër të këtyre mundësive, kandidatët që kanë filluar studimet në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe dëshirojnë t’i vazhdojnë ato në Universitetin e Tetovës, mund të aplikojnë për transferim të studimeve, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga universiteti.
Një mundësi tjetër është rikualifikimi, i cili u ofron kandidatëve mundësinë për të ndjekur një drejtim tjetër studimi. Po ashtu, Universiteti i Tetovës u ofron mundësi edhe kandidatëve që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë dhe dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e tyre universitar në ciklin e dytë të studimeve, duke zgjeruar kështu mundësitë për avancim akademik dhe profesional.
Krahas interesimit të madh për Fakultetin e Shkencave Mjekësore, në afatin e parë të regjistrimit (24 – 28 gusht 2026), vërehet interesim edhe për njësitë tjera akademike. Kjo dëshmon për një ofertë të gjerë akademike dhe për mundësi të ndryshme që u ofrohen të rinjve dhe kandidatëve që dëshirojnë ta ndërtojnë apo të avancojnë në karrierën e tyre profesionale.
Me këto mundësi, Universiteti i Tetovës synon t’u përgjigjet nevojave të kategorive të ndryshme të studentëve dhe kandidatëve, nga ata që sapo përfundojnë arsimin e mesëm, te studentët që dëshirojnë të transferojnë studimet, kandidatët që synojnë rikualifikim, si dhe ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në nivelin master.
Për kushtet, kriteret dhe afatet e aplikimit, kandidatët duhet t’u referohen njoftimeve dhe konkurseve zyrtare të publikuara nga Universiteti i Tetovës.
Për më shumë hollësi, klikoni: https://unite.edu.mk/apliko/






