Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Kryetarin e Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorin për Arsim Prof. Dr. Ibrahim Neziri, dekanë profesorë, studentë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, morën pjesë në shënimin e Vitit të Ri Islam – Hixhri 1446, që u organizua nga Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në udhëheqje të Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Ky manifestim filloi me vargjet e bukura të Kuranit Famëlartë të lexuara nga Hfz. Idriz Osmani ndërsa më pas Drejtori për Kulturë dhe Shkencë në Bashkësinë Fetare Islame Musanif ef. Rufati e bëri hapjen e këtij manifestimi.
Më pas Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti fjalimin qendror ku foli rreth rëndësisë së këtij manifestimi dhe bëri një retrospektivë të të gjitha ngjarjeve që janë zhvilluar në atë kohë, ndër të tjera theksoi se Hixhreti si ngjarje, shënoi historinë e re të njerëzimit, e cila bëri që në shoqëri të vendoset: drejtësia, meritokracia, toleranca, mirëkuptimi, mbrojtja e vlerave të njeriut dhe shumë dimensione të tjera.
Në këtë manifestim, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së për Universitetin e Tetovës e ndau çmimin më të lartë të titulluar “Myfti Vehbi Dibra”, një titull i cili në vete ngërthen privilegjin dhe përgjegjësinë ndaj Zotit të Madh dhe shoqërisë. Këtë çmim, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi ia dorëzoi Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Pas marrjes së çmimit, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i falënderoi drejtuesit e BFI-së për këtë nder që i bënë Universitetit të Tetovës. Ai tha se ky çmim u dedikohet të gjithë intelektualëve të asaj kohe në krye me themeluesin dhe Rektorin e parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe dëshmorin e arsimit shqip Abdylselam Emini, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan dhe kontribuojnë në rritën dhe zhvillimin e këtij universiteti, sikurse është dedikim për të gjithë profesorët dhe të punësuarit e tjerë dhe të gjitha ato gjenerata të studentëve të cilët karrierën e tyre profesionale dhe akademike e kanë ndërtuar në Universitetin e Tetovës. Ai më tej shtoi se Universiteti i Tetovës edhe në të ardhmen do të vazhdojë të përkushtohet në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në vendin tonë dhe se gjithmonë do ta ruajë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona të përbashkëta kombëtare e fetare.
Përmes shënimit të Vitit të Ri Islam Hixhri 1446, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së dëshmon se hixhretin e kupton si kthim drejt vetvetes, për të ngritur vetëdijen e çdo besimtari për një zhvillim të shëndoshë në prezantimin e vlerave madhore islame. Ky manifestim ishte pasuruar edhe me një program artistik, ku performoi kori i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së nën udhëheqjen e Dr. Abas Jahja dhe Hfz. Sabaatin Nuhiju. Më pas u interpretuan këngë fetare nga Hfz. Egzon Ibrahimi, Nderim Alimi dhe një interpretim nga aktori Arsim Fazlija.
Manifestimi u përmbyll me ndarjen e diplomave për hafizët të cilët e kanë përfunduar hivzin e Kuranit.