Kolegji AAB, në partneritet me Universitetin e Tetovës, Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Kolegjin “Pavarësia” në Vlorë, për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 15 shkurt 2017, organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat euro- integruese”.
Në hapjen e kësaj konference, Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve dhe studiuesve të kësaj konference tha se Kolegji AAB është bërë një qendër e rëndësishme akademike – shkencore, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. “Ne në AAB organizojmë konferenca shkencore dhe në vazhdimësi e ritheksojmë se shkenca përbën faktorin themelor tejet të nevojshëm për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin si vend në një Evropë të integruar. Shkencës dhe rolit të saj, ne si institucion i kemi kushtuar rëndësi të veçantë, duke krijuar e ngritur si dhe avancuar kapacitetet tona të brendshme për të avancuar këtë komponentë”- theksoi Rektori Lulzim Tafa.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, i cili në vitin 2008 ishte një ndër aktorët kyç në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, vetëm studiuesit kanë mundësinë që pa rreshtime e anime politike të shohin zhvillimin e një procesi të një vendi. “Kosova ka kapërcyer një distancë të mirë dhe në vertikalen e vet ka dëshmuar funksionimin apo qëndrueshmërinë si shtet, por paralelisht ka shumë gjëra që duhet t’i bëjë ndryshe. Mundësitë janë, kapacitetet janë, por duhet punë dhe djersë, me i hapë, siç thotë populli “sytë shumë”, me e ba orën, jo vetëm një orë, dy orë, shtatë orë apo sa janë oraret e punës, por edhe 24 orë na dalin pak”, tha ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu.
Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti konferencën e përshëndeti shefi i kabinetit të Rektorit të UT-së, Doc. Dr. Faton Shabani. “Fillimisht më lejoni t’Ju përcjell përgëzimet më të sinqerta të Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti për organizimin e kësaj konference të rëndësishme shkencore me karakter ndërkombëtar, e cila në programin e saj të punës planifikon të trajtojë problematikën e konsolidimit të shtetit juridik dhe ballafaqimin me sfidat e proceseve euro – integruese. Njëherit, Ju shprehim mirënjohjen e thellë për vlerësimin Tuaj ndaj Universitetit tonë për përfshirje në këtë organizim shkencor, i cili e dëshmon bashkëpunimin e frytshëm mes universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë në mbarë trojet shqiptare. Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me titull “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat euro – integruese”, fiton peshë edhe për faktin që organizohet në shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me organizimin e kësaj konference shkencore dhe me pjesëmarrjen e akademikëve, hulumtuesve dhe studiuesve të çështjeve të së drejtës, politikës, administratës dhe ekonomisë, vlerësojmë se jepet ndihmesë dhe kontribut në përballjen me sfidat e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe tejkalimin e pengesave, që dalin gjatë rrugëtimit në këtë proces. Përshpejtimi i këtyre proceseve integruese në mënyrë të qartë do të ndikojë edhe në forcimin e stabilitetit në rajon dhe më gjerë, me çka do të prodhohet gjendje më e qëndrueshme e sigurisë, do të krijojë kushte për investimeve të reja nga vendi dhe jashtë dhe në këtë mënyrë do të hap perspektivën e vendit, përkatësisht Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, është i nevojshëm kontributi i të gjithë personave dhe subjekteve kompetente dhe përgjegjëse për promovimin e ideve dhe vlerave evropiane drejt ndërtimit të institucioneve efikase, sundimit të ligjit, transparencës qeverisëse dhe luftës kundër korrupsionit” – tha Doc. Dr. Faton Shabani, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.
Kjo konferencë kishte për qëllim që në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës të bëjë bashkë akademikë, hulumtues dhe personalitete (vendore dhe ndërkombëtare), të cilët në mënyra të ndryshme kanë qenë të angazhuar në procesin e pavarësimit të Kosovës.