Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Kulturës Fizike, edhe këtë vit për nder të 4 Korrikut e organizoi turneun tradicional të volejbollit në rërë.
Dekania e këtij fakulteti, Prof. Dr. Shpresa Memishi në hapje të këtij manifestimi u shpreh se, përmes këtij aktiviteti sportiv, studentët, stafi akademik dhe të punësuarit e tjerë në universitet dëshirojnë që t’i bashkëngjiten festës së Pavarësisë së SHBA-ve, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ruajtjen e miqësisë së përhershme mes popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se, Universiteti ynë për çdo vit tradicionalisht e shënon Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, njërit nga aleatët tanë, i cili njëkohësisht ka kontribuar mjaft në zhvillimin e UT-së dhe të çështjes tonë kombëtare shqiptare në përgjithësi. “Është kënaqësi për ne, që sot që ta shënojmë 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, dëshiroj që të gjithëve tua uroj këtë festë të madhe. Universiteti ynë këtë datë e shënon me aktivitete sportive, konkretisht përmes turneut të volejbollit në rërë. Çdo mbështetje nga SHBA-të ka një peshë dhe një vend të veçantë për ne, dhe ne si institucion, por edhe si shqiptarë, do të vazhdojmë ta ruajmë këtë aleancë me SHBA-të dhe popullin amerikan. Për ne është shumë e rëndësishme përfshirja e të rinjve në aktivitete të ndryshme dhe sot në këto lojëra kryesisht të rinj e të reja janë angazhuar që ky manifestim të jetë sa më i bukur”, theksoi mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr Jusuf Zejneli.
Në përmbyllje të këtij turneu, drejtuesit e Universitetit të Tetovës, dhe përfqësuesit e Këndit Amerikan në Tetovë ndanë certifikata për lojtarët pjesëmarrës në këtë turne.
Zyra për informim