Në hapësirat e fakulteteve të Universitetit të Tetovës u organizua aksioni për dhurimin e gjakut nga ana e studentëve, stafit akademik dhe stafit administrativ.
Aksioni humanitar për dhurimin e gjakut në Universitetin e Tetovës tani më organizohet për disa vite me radhë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe repartin për transfuziologji të Spitalit Klinik të Tetovës.
Një numër i madh i studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës iu bashkëngjitën iniciativës së Kryqit të Kuq, përmes së cilës ata shprehën humanizmin e tyre. Sipas tyre, vetëm duke dhuruar gjak, në mbështetje të të gjithë atyre të cilët kanë nevojë, mund të shpëtohet një jetë më shumë.
Nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë dhe reparti i transfuziologjisë në Tetovë thanë se ky aksion ka pasur jehonë jashtëzakonisht të madhe te vullnetarët, të cilët pozitivisht iu përgjigjën këtij aksioni për të dhuruar gjak. Ata po ashtu falënderuan edhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës për mbështetjen që i japin gjithmonë këtij aksioni.