Universiteti i Tetovës dhe Asociacioni Ndërkombëtar i studentëve dhe të rinjve për Paqe në Ballkan sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Akti i këtij memorandumi u firmos nga Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Drejtoresha e Ekzekutive e International Association of Youth and Students for Peace (IAYSP) znj. Ejona Icka.
Në takimin e zhvilluar mes drejtuesve të Universitetit tonë dhe përfaqësueseve të IAYSP u tha se ky memorandum buron nga nevoja për zhvillimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve të partneritetit në mes të dy institucioneve. Me këtë rast, palët bien dakord që të bëjnë organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si, seminare, konferenca, punëtori, krijimin dhe organizimin e veprimtarive të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme e të dy institucioneve.
Gjithashtu, marrëveshja parasheh edhe forma të tjera të bashkëpunimit, që të dy institucionet do të përcaktojnë së bashku si: të ndajnë informata relevante me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në trajnime profesionale, seminare, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe aktivitete të tjera, që lidhen me forcimin e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve, të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të përshtatshme me nevojat e përdoruesve të shërbimeve të institucioneve, që janë nënshkruese të marrëveshjes, të ndihmojnë njëri-tjetrin me këshilla profesionale, duke ndarë përvojat ekzistuese dhe të reja të rëndësishme për fushën e tyre.
Deri më tani nga Universiteti i Tetovës në projektet e Asociacionit Ndërkombëtar të Studentëve dhe të Rinjve për Paqe kanë marrë pjesë disa studentë të Fakultetit Juridik, në mesin e të cilëve edhe Amra Azizi dhe Rijad Bejtullah, ku këta të fundit tanimë janë pjesë e kësaj organizate falë ndihmës dhe angazhimit të Prof. Dr. Afet Mamuti, i cili njëherit nga Federata Universale për Paqe është shpallur edhe Ambasador i paqes.
Zyra për informim