Një delegacion i lartë i Mbretërisë së Arabisë Saudite të udhëhequr nga Ekselenca e Tij Dr. Awad Al – Anezij, Zëvendësministri për Çështje Islame, Thirrje dhe Udhëzim, i Mbretërisë së Arabisë Saudite, të shoqëruar nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorë, e vizituan Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, delegacioni arab u prit nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Fillimisht Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli u uroi atyre mirëseardhje në Universitetin e Tetovës dhe në pika të shkurtra ua prezantoi historinë e Universitetit tonë që nga themelimi, përfshirë dhe rrugëtimin ndër vite, deri në ditët e sotme. Rektori ndër të tjera theksoi se Universiteti ynë këtë vit e shënon vitin jubilar të 30-vjetorit të themelimit dhe gjatë këtyre viteve ka luajtur rol kyç në procese të ndryshme kombëtare, por njëherit ka kontribuuar edhe në përgatitjen e kuadrove profesionale që edhe sot e kësaj ditë po kontribuojnë në jetën shoqërore, politike, diplomatike, sociale, ekonomike etj. Ndër të tjera Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, rëndësi të veçantë në këtë takim i kushtoi edhe bashkëpunimit ndërkombëtar që Universiteti ynë tanimë e ka krijuar me universitete me renome nga vendi, rajoni, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse edhe shprehu gatishmërinë e tij që në të ardhmen ky bashkëpunim të shtrihet edhe me universitetet nga Arabia Saudite. Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit dhe shkencës në përgjithësi, ndërsa me theks të veçantë u diskutua edhe për programet studimore të Gjuhës dhe Letërsisë Arabe si dhe për katedrën e Orientalistikës në Fakultetin Filozofik.
Zëvendësministri për Çështje Islame, Ekselenca e Tij Dr. Awad Al-Anezij në emrin e tij personal dhe në emër të delegacionit të cilit ai i priu, e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe bashkëpunëtorët e tij, për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore si dhe për kohën e ndarë për ta nderuar delagacionin që ai e udhëheq. Ai shprehu dëshirën e tij që sukseset e Universitetit të Tetovës edhe më tej të jenë dritare të dijes dhe përgatitjes profesionale për studentët dhe për gjeneratat e reja. Ai po ashtu theksoi se bota islame në përgjithësi i kushton rëndësi të veçantë dijes, pasi që edhe në Kuranin famëlartë thuhet: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë…” Ndër të tjera tha se, në memorandumin e bashkëpunimit që kanë nënshkruar me Bashkësinë Fetare Islame ka një nen të veçantë ku parashihet bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor dhe njëkohësisht shprehu gatishmërinë e tij që në të ardhmen kjo pikë të konkretizohet me ndonjë marrëveshje konkrete bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe universiteteve nga Arabia Saudite. Ndërkaq, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e falënderoi përzemërsisht Rektorin Zejneli, fillimisht për mikpritjen dhe më pas për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe kontributin gjatë rrugëtimit të përbashkët mes BFI-së dhe Universitetit të Tetovës. Ai tha se ky bashkëpunim që nga themelimi i UT-së ka rezultuar i frytshëm, ndërsa suksesin e tij e ndjejmë edhe sot, të gjithë bashkërisht. Sipas tij, Universiteti i Tetovës vazhdon të jetë pjesa më e ndjeshme e popullatës shqiptare të këtyre trevave për arsye se është institucioni i vetëm prej të cilit kanë filluar lëvizjet dhe janë udhëhequr procese të ndryshme kombëtare.
Në përmbyllje të këtij takimi, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli ndau disa dhurata simbolike për mysafirët dhe njëkohësisht pranoi dhe disa dhurata nga ana e delegacionit të Mbretërisë së Arabisë Saudite.