Në Universitetin e Tetovës, më 4 korrik 2019, u bë prezantimi i rezultateve të projektit “The main element of us” (Elementi ynë kryesor), projekt i përbashkët i Universitetit të Tetovës, Universitetit “Nisantasi” nga Turqia, Universitetit të Sofjes nga Bullgaria dhe organizatës Adefis Juventud Internacional nga Spanja.
Fillimisht, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tetovës u realizua një takim i përbashkët mes drejtuesve të Universitetit të Tetovës dhe drejtuesve të universiteteve nga Turqia, Bullgaria, si dhe përfaqësuesve të organizatës spanjolle Adefis Juventud Internacional. Bashkëbiseduesit në këtë takim, përveç që e përshëndetën realizimin e suksesshëm të projektit të përbashkët “Elementi ynë kryesorë”, ata diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në sferën e kulturës, arsimit dhe kërkimeve shkencore.
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, e rikonfirmoi angazhimin profesional dhe qasjen serioze të Universitetit të Tetovës që ka në përmbushjen e obligimeve institucionale për të gjitha projektet me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç u shpreh ai, ky përkushtim dëshmohet me rezultatet konkrete që ne i kemi arritur në planin ndërkombëtar, duke u shndërruar në institucionin kryesor – bartës i shumë projekteve, sikurse është edhe ky i sotmi, rezultatet e të cilit flasin për sukseset tona të përbashkëta. “Në strategjinë e Universitetit tonë, hulumtimet dhe studimet shkencore i kemi radhitur si prioritetin kryesor të veprimtarisë së këtij institucioni, andaj, sot ndjehemi krenarë kur nga universitete prestigjioze ndërkombëtare dhe agjenci kredibile, Universiteti ynë përzgjidhet bartës për realizimin e projekteve, po ashtu nga autoritete të njohura shkencore, UT konsiderohet si institucion i përshtatshëm për zhvillimin e kërkimit dhe hulumtimit shkencor”, tha Prof. Dr. Hazir Pollozhani.
Rektorja e Universitetit “Nisantasi” nga Republika e Turqisë, Prof. Dr. Esra Hatipoglu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt, pasi që janë përcaktuar disa tema që kanë të bëjnë me organizimin kulturor dhe rritjen e bashkëpunimit në sferën e arsimit kulturës dhe inovacioneve teknologjike. “Ne si universitet japim maksimumin tonë në përgatitjen e studentëve për ndryshimet që ndodhin në botë, çdo herë hasim në diskutime për arsimin në përgjithësi dhe shpesh theksojmë se arsimi nuk do të jetë valid në qoftëse ne nuk do të përkushtohemi në ngritje të cilësisë dhe përgatitjen profesionale të kuadrit të ri. Synimi ynë kryesor është që të përgatitemi për të gjitha sfidat të cilat na presin në këto çështje dhe të përpiqemi për të qenë çdo gjë e sigurtë me diturinë e kufizuar që e kemi, të fillojmë të flasim për inteligjencën artificiale, mbledhjen e të dhënave, përpunimin analitik dhe kompjuterizimin, si dhe çdo ditë e më shumë të flasim për metoda të reja në arsim”, u shpreh Prof. Dr. Esra Hatipoglu.
Profesoresha Zeynep Birsu nga Universiteti “Nisantasi”, në pika të shkurtra bëri prezantimin e programit Erasmus Plus. Sipas saj, ky program nga viti në vit ndryshon me rritjen e mjeteve të cilat janë në dispozicion për profesorët dhe studentët. “Aktualisht, program Erasmus plus ndan mjete edhe për zhvillim, hulumtim, projekte për sipërmarrësi, me qëllim që të fuqizohet bashkëpunimi mes industrisë dhe universiteteve. Krijimi i qendrës për partneritet strategjik është bërë shumë i rëndësishëm që të punohet me sektorë të ndryshëm dhe se nga viti i ardhshëm do të ketë programe të reja të Erasmus plusit dhe sigurisht që fondet për profesorët dhe studentët do të rriten edhe më shumë”, potencoi Prof. Dr. Zeynep Birsu.
Për projektin “Elementi ynë kryesor” foli koordinatori, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku. “Projekti është i konceptuar në atë mënyrë, jo vetëm për të përfshirë anën arsimore shkencore, por të përfshijë edhe ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve. Elementi shumë i rëndësishëm i këtij projekti është se ne nuk e ndërpresim këtë projekt, por ndërtojmë strategji të re për të ardhmen në një periudhë më të gjatë kohore dhe bashkërisht kemi projektuar një program master në fushën e komunikimeve ndërkulturore dhe transkulturore. Sigurisht që në këtë projekt mendojmë të përfshijmë edhe universitete nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se kompetencat e këtij projekti t’ia bartim Qendrës për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor”, u shpreh Prof. Dr. Arbër Çeliku.
Projekti “Elementi ynë kryesor” është mbështetur financiarisht nga Agjencia Nacionale për Edukim Evropian dhe Mobilitet, si dhe Bashkimi Evropian, përmes programit ndërkombëtar Erasmus Plus.
Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë projekt, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, Rektores së Universitetit “Nisantasi”, Prof. Dr. Esra Hatipoglu dhe Sekretarit të parë të Ambasadës së Bullgarisë në vendin tonë, Stanimir Gizdev, u ndau nga një dhuratë me portretin e humanistes shqiptare, Nënë Terezës.
Zyra për Informim