Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me disa shkolla fillore në qytetin e Tetovës, prej 24 tetor 2019, filloi realizimin e projektit në mbështetje të fëmijëve me autizëm. Ky projekt është hartuar nga Zyra për Përpilim dhe Menaxhim me Projektet e UT-së, ndërsa është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut. Ky projekt synon socializmin e fëmijëve me autizëm në shoqëri, me qëllim që edhe ata të ndjehen të barabartë me të tjerët.
Koordinatori i këtij projekti, Prof. Dr. Metin Dalipi shpreson se gjatë katër muajve, për aq sa pritet edhe të zgjatë projekti, ai së bashku me ekipin e tij do të bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj periudhe kohore që edhe fëmijët me autizëm t’i nxisin të sportojnë dhe vallëzojnë. “Qëllimi është zhvillimi i ndjenjës te fëmijët me autizëm për mësimin e valleve burimore – folklorike nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky projekt realizohet nën moton “edhe ne mund të vallëzojmë dhe sportojmë”, që është mirëpritur nga prindërit, sidomos nga fëmijët, shpresojmë që së bashku deri në fund do t’ia dalim me sukses, duke i bërë edhe këto fëmijë të ndjehen të barabartë në mesin e fëmijëve të tjerë”, theksoi Prof. Dr. Metin Dalipi.
Po ashtu, ai apeloi deri te të gjithë prindërit të cilët kanë fëmijë me autizëm, që ta ndjekin këtë projekt, dhe t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto aktivitete, të cilat do realizohen në ambiente të ndryshme të shkollave fillore të qytetit të Tetovës.
Zyra për Informim