Në amfiteatrin e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në organizim të Shoqatës për Autizëm “Ura Blu” dhe Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit, sot u mbajt Seminari me temë: “Identifikimi i hershëm i shenjave të autizmit dhe efikasiteti i ndërhyrjes së hershme”. Në ketë seminar, ku morën pjesë: pediatër, edukatorë të çerdheve, studentë të Mjekësisë, të Edukimit Special dhe Psikologjisë, ligjëratë tematike mbajti znj. Anjeza Dishnica nga Republika e Shqipërisë.
Organizimin e seminarit e përshëndeti prodekani për Arsim i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Buniamin Memedi, i cili theksoi se identifikimi i hershem i shenjave të autizmit dhe ndërhyrja e hershme i ndihmon fëmijët në funksionalitetin e jetës së tyre. Me pas znj. Anjeza Dishnica në mënyrë të detajuar sqaroi rëndësinë e identifikimit dhe trajtimit në moshë sa më të re te këta fëmijë, duke dhënë krahasime të shenjave të fëmijëve tipikë dhe fëmijëve me spektër në fazat e ndryshme të zhvillimit të tyre. Ajo vuri në dukje edhe rolin e prindërve, edukatorëve përkatës, pediatërve dhe psikologëve në procesin e integrimit dhe inkluzionit të këtyre fëmijëve me spektër të autizmit. Aktivitete të kësaj natyre me tematikë të ngjashme, Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit ka realizuar edhe në të kaluarën, duke i nxitur dhe ju ofruar përvojën profesionale institucioneve përkatëse që merren me këtë problematikë.
Zyra për Informim