Në Universitetin e Tetovës u zhvilluan punimet e edicionit XIV të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë. “Sfidat e (mos)zbatimit të ligjit të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut dhe gabimet gjatë përdorimit të shqipes standarde” ishte tema boshte e Seminarit, ndërsa studiues shkencorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe nga vendi dhe rajoni diskutuan rreth kësaj tematike. Seminari punimet e tij i zhvilloi përmes platformës online, për shkak se Universiteti ynë, që nga përhapja e pandemisë globale Covid 19, në përpikëri u është përmbajtur rekomandimeve të autoriteteve, për respektimin e të gjitha protokolleve shëndetësore për t’u mbrojtur nga virusi Corona. Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, pjesëmarrësve në këtë konferencë me fjalë rasti iu drejtua Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës Doc. Dr. Shefik Shehu. Ai fillimisht e përgëzoi drejtorinë e Seminarit për organizimin e kësaj ngjarjeje shkencore në këto rrethana, kur e gjithë bota po përballet me valën më të madhe të infektimeve me Covid19. “Që në fillim dëshiroj ta përgëzoj drejtorinë e Seminarit të Albanologjisë për punën dhe përkushtimin e saj që edhe në këto rrethana të pazakonta për ngjarje të këtij niveli, arriti që përmes kësaj forme alternative-online, ta organizojë edicionin XIV me radhë të Seminarit të këtij viti. Sikundër i falënderoj pjesëmarrësit, punonjësit shkencorë, të cilët edhe përskaj situatës së lartpërmendur, me devotshmërinë e tyre kontribuojnë që ta përvijojnë traditën dhe ta mbajnë gjallë frymën hulumtuese të edicioneve pararendëse”- u shpreh Prorektori, Doc. Dr. Shefik Shehu.
Sa i përket temës së Seminarit, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së Prof. Dr. Shefik Shehu, tha se është me rëndësi tejet aktuale, por edhe mjaft komplekse. “Ne të gjithë e dimë se në vendin tonë është miratuar Ligji për përdorimin e gjuhëve që ka të bëjë me qytetarët e vendit tonë, të cilët flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, e që përbëjnë të paktën 20% të popullsisë. Çështja e përdorimit të gjuhës është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Me miratimin e këtij ligji supozohet se rrumbullakohet pjesa më e madhe e implementimit të gjuhës. Mirëpo, ajo që përbën interes dhe arsyeja e këtij takimi është analiza e barrierave për implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe sa respektohet shqipja standarde në institucionet tona arsimore, shkencore, kulturore, administrative e kështu me radhë. Autoritetet kompetente, përkatësisht njohësit e kësaj çështjeje theksojnë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ka një shtrirje të caktuar horizontale si dhe dimension vertikal. Përfshin organet e pushtetit vendor si dhe pjesë të mëdha të pushtetit qendror. Në bazë të këtij ligji, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj do të flitet, përkatësisht do të shkruhet në të gjitha organet e pushtetit qendror të RMV-së, në institucionet qendrore, në ndërmarrjet publike, nëpër agjencitë, drejtoritë, në organizata, në ente, në komisione, etj” theksoi mes tjerash Doc. Dr. Shefik Shehu.
Drejtori i Seminarit të Albanologjisë, Prof. Dr. Salajdin Salihu, tha se këtë vit, për shkak të protokolleve kundër epidemisë, jemi detyruar që t’i reduktojmë aktivitetet përcjellëse të Seminarit dhe të punojmë e veprojmë në kushte emergjence, që janë të pafavorshme për punë mendore. Ai më tej shtoi se për shkak të “normalitetit të ri” janë detyruar që Seminarin ta fokusojnë në një sesion dhe te një temë, me qëllim që ta ruajnë vazhdimësinë, traditën dhe mbeten me shpresë se në vitet e ardhshme do t’i rikthehen konceptit fillestar të Seminarit, me të gjitha sesionet: të letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnokulturës dhe mediave.
Sa i përket temës së Seminarit, Drejtori Prof. Dr. Salajdin Salihu tha se këtë vit ajo ndërlidhet me politikën gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, por edhe në hapësirat tjera shqiptare. “E kaluara dëshmon se logjika e dominimit kulturor, kombëtar e gjuhësor ka nxitur ndër vite antagonizma shoqërore. Shqipja është gjuhë e një popullsie ndenjëtare në Maqedoninë e Veriut, prandaj ajo nuk mund të trajtohet si gjuhë e rangut të dytë dhe as të nënvlerësohet me kompromise politike. Sepse, askush nuk ka tagër për kompromise që bien në kundërshtim me të drejtën historike. Pas ligjit të ri për gjuhët në Republikën e Maqedonisë së Veriut është krijuar hapësirë për përdorim më të gjerë institucional të shqipes, por ndodh shpesh që vullneti i drejtuesve të institucioneve publike të qëndrojë mbi detyrimet ligjore. Shpesh ka improvizime që prodhojnë efekte komike. Institucionet, për ta përmbushur një detyrim ligjor, shpesh e përdorin “shqipishtën” në vend të shqipes. I përkthejnë tekstet me motorët e Google-it, që i ironizon Umberto Eko. Gjuha shqipe është e të gjithëve dhe për të duhet të punojmë të gjithë. Gjuha mbetet me ne edhe kur të gjithë na braktisin, thotë një poet. Gjuha shqipe është e bukur dhe ka zotësi të mëdha shprehëse. Ajo ka zotësi shprehëse për shkak të dialekteve, që vetëplotësohen e nuk vetëpërjashtohen. Janë si lumenj që e pasurojnë oqeanin gjuhësor. Ajo është e pasur për shkakun e aftësisë përthithëse të fjalëve prej gjuhëve të tjera, që përgjatë shekujve ia përshtati shtratit të saj. Prej gjuhës shqipe huazuan fjalë edhe gjuhët tjera, madje që në agimin e qytetërimit” tha Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Këtë vit Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë punimet i zhvilloi vetëm në një seancë, e cila u drejtua nga dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani, dhe shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Prof. Dr. Emine Shabani.