Universiteti i Tetovës ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave me të cilat Programit të zhvillimit rural, i është siguruar një buxhet prej rreth 600,000 eurosh, fonde këto me të cilat Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të mbështesë drejtpërdrejt institucionet shkencore në zgjerimin e aktiviteteve të tyre, që janë me interes të përbashkët.
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, pas nënshkrimit të memorandumeve theksoi se Universiteti i Tetovës, si institucion i arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është në proces të kompletimit dhe përfundimit të programeve të reja studimore vitale, të domosdoshme për nevojat dhe kërkesat për arsimim të një kuadri të tillë, veçanërisht bazuar në rekomandimet e Kartës së Bolonjës, i cili parashikon afrimin e arsimit të lartë ndaj përdoruesve të fundit. “Duke pasur parasysh se kualifikimet dhe sigurimi i njohurive të duhura nga fusha e bujqësisë dhe zhvillimit rural siguron një mekanizëm të përshtatshëm për mbështetje sinergjike midis grupeve të interesuara, në funksion të tejkalimit të sfidave globale në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm. Në nivelin rajonal dhe global do të iniciohet bashkëpunim me laboratorët përkatës në rajon dhe më gjerë. Bashkëpunimi do të konceptohet përmes shkëmbimit të stafit kërkimor, përmes aplikimeve të përbashkëta për projekte kërkimore- shkencore, përmes shkëmbimit të përvojave dhe përmes organizimit të punëtorive dhe seminareve, si dhe transferimit cilësor të njohurive dhe teknologjive te përdoruesit e tjerë, veçanërisht tek institucionet e ngjashme dhe shërbimet profesionale. Vendosja e partneritetit dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore, OJQ-të, objektet e kapacitetet prodhuese dhe me kompanitë tregtare, duke dhënë kështu një kontribut të drejtpërdrejtë në integrimin e vendit në BE. Me këtë e përparojmë prodhimin e ushqimit të shëndetshëm, industrinë për përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, shfrytëzimin racional të burimeve natyrore, si dhe zhvillimin e hapësirës rurale dhe urbane, duke dhënë kështu një kontribut të madh në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të jetës në shkallë vendi dhe atë globale” – tha Prof. Dr. Hazir Pollozhani.
Sipas Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Arianit Hoxha, nënshkruesit e memorandumeve të bashkëpunimit do të marrin mbështetje financiare e cila do të ketë për qëllim: furnizimin me pajisje laboratorike për sigurinë ushqimore, furnizimin me pajisje për zbulimin e pranisë së metaleve të rënda në ushqim, si dhe furnizimin me pajisje demonstruese për studentët e shkencave bujqësore.