Universiteti i Tetovës, përmes një akademie solemne e shënoi 29-vjetorin e themelimit. Paraprakisht, udhëheqësia e Universitetit dhe stafi administrativ, bënë homazhe para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe lapidarit “Flakadani i Kujtesës”. Gjatë këtyre 29 vjetëve, Universiteti i Tetovës është munduar të ndërtojë një institucion dinjitoz për të gjithë ata që kanë zgjedhur të studiojnë dhe të punojnë këtu. Në mozaikun e historisë sonë të përbashkët, çdo copëz e tij përfaqëson një histori përkushtimi, pasioni dhe kërkimi të dijes. Nga pedagogët pionerë që hodhën themelet, drejtuesit, stafi i përkushtuar dhe studentët ambiciozë që mbushin me jetë auditoret tona, çdo individ ka kontributin e tij në mozaikun e gjallë që është Universiteti i Tetovës.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli bëri një retrospektivë të ngjarjeve që i lamë pas këtij viti dhe i falënderoi studentët, stafin akademik, stafin administrativ dhe të punësuarit e tjerë të Universitetit tonë për kontributin e dhënë në këtë vit kalendarik. “Bashkërisht, me dëshirë, pasion, punë, mund, ngulmim, përpjekje dhe sakrifica të pareshtura kemi shërbyer në promovimin e dijes, të kërkimit shkencor, inovacionit dhe diversitetit. Në çdo përvjetor i bëjmë bilancet e punës sonë për të parë nëse e kemi përligjur misionin që i kemi vënë vetes. Sot, në prag të përmbylljes së semestrit dimëror 2023/2024 dhe të vitit kalendarik 2023, kur e kthejmë kokën pas, ne i kujtojmë çastet e suksesshme dhe sfidat me të cilat jemi përballur bashkërisht. Këto përvoja na bashkuan, na rritën, na nxitën, na motivuan dhe na bënë më të fuqishëm në rrugën tonë drejt përfitimit të dijeve të reja dhe realizimit të kërkimeve të ndryshme shkencore. Ne i kthehemi të kaluarës, sepse nisemi nga parimi: ta respektojmë dhe të mësojmë nga e kaluara, të punojmë pareshtur për të sotmen dhe të krijojmë vizion dhe strategji të qartë për të ardhmen e Universitetit tonë, i cili e filloi punën me kryefjalën nga vepra e Naimit: “Vetëm drita e diturisë përpara do na shpjerë”. Sepse vetëm nëpërmjet dritës së mendjes, të arsimit, kulturës, artit dhe shkencës ne mund të rrugëtojmë të sigurt drejt së ardhmes. Vetëm nëpërmjet dijes dhe veprave humane dhe në shërbim të komunitetit, ne e përligjim rrojtjen (ekzistencën) tonë në kohë e hapësirë dhe krijojmë mundësi të reja për të qenë pjesë e aleancave me kulturat e tjera. Këto bashkëpunime dhe këmbim përvojash na mundësojnë të krijojmë botëshikim të ri dhe na hapin pamësi të re (horizont të ri) në kohën e përbotësimit (globalizimit)” – u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në vijim të fjalimit të tij ai u ndal edhe te figurat që lanë gjurmë të pashlyeshmë në historinë e këtij tempulli të dijes. “Në këtë përvjetor të Universitetit tonë, ne e kujtojmë dhe e nderojmë me respekt të thellë Rektorin e parë, profesor Fadil Sulejmanin, emrin e të cilit sot e mban ky universitet. Ne e kujtojmë me nderim të thellë dëshmorin e Universitetit të Tetovës, Abdylselam Eminin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë që ishin edhe studentë të Universitetit tonë. Ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjitha kontributet e së kaluarës për këtë kështjellë drite, emancipimi dhe lartësimi arsimor, shkencor, kulturor e artistik, që janë shënuar në fletët e përjetshme të Universitetit të Tetovës. Ne i jemi thellësisht mirënjohës popullatës shqiptarëve të kësaj ane, dëshira e së cilës ishte që shqiptarët të arsimoheshin në gjuhën shqipe. Falë kësaj rezistence mbarëkombëtare u jetësua ky universitet, pavarësisht kundërshtimeve të pushtetit që shfaqi egërsi kundrejt një kërkese aq qytetëruese. Vetëm kështu e ruajmë kujtimin, nderimin dhe admirimin tonë të përhershëm për të gjithë ata që dhanë gjithçka e shumëçka për lartësimin e këtij institucioni kombëtar, arsimor e shkencor. Vetëm kështu e vlerësojmë një vepër madhore që vazhdon pambarimisht. Vetëm kështu brezave të rinj dhe studentëve tanë ua ofrojmë një model se si punohet për të mirën e përbashkët, sepse një punë me përkushtim, e cila lë gjurmë ose shenjë në kohë, përherë do të kujtohet me nderim dhe respekt të thellë. Me këtë ndjenjë mirënjohjeje dhe përgjegjësie, sot ne si udhëheqësi, jemi të përkushtuar që studentëve t’u ofrojmë orientim dhe mbështetje në rrugëtimin e tyre arsimor dhe shkencor, pa dallim gjinie, kombi, feje dhe race. Universiteti i Tetovës që është udhëhequr dhe udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit, tani ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin dhe profesionalizimin e studentëve. Shumësia e programeve studimore, infrastruktura moderne, resurset e shumta dhe mundësitë e tjera, universitetin tonë sot e bëjnë konkurrues me universitetet nga rajoni dhe bota.” – tha mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ministri i Arsimit i RMV-së, Jeton Shaqiri tha se si Ministër i Arsimit, i gëzohet çdo suksesi të merituar të institucioneve tona arsimore, pasi investimi në arsim është investimi për ardhmërinë e shoqërisë, ndërsa si shqiptar, këtij suksesi të sotëm i gëzohet dyfish. “Rrugëtimi për themelimin e Universitetit të Tetovës është i mbushur plot me përpjekje dhe sakrifica, por historia e tij e mundimshme e shton edhe me shumë vlerën e të qenit Universiteti i parë shqiptar në vend, pasi është ky institucioni që trasoi rrugën për zhvillimin e arsimit shqip, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare, duke u përjetësuar në historinë tonë si simbol i jetësimit të idealeve kombëtare. Ndaj sot, dua të përfitoj nga rasti që më është dhënë, që në emrin tim dhe në emrin e institucionit që përfaqësoj t’ju uroj për shënimin e këtij përvjetori. Urimi im shkon për udhëheqësinë, për stafin, për bashkëpunëtorët, por edhe për studentët e dashur, të cilët janë pjesa më jetësore e çdo universiteti. E ndërsa unë, zotohem se mbështetja nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të jetë e vazhdueshme, pasi që është detyra jonë të jemi krah i insitucioneve arsimore në formësimin e gjeneratave të reja, në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët në themel të së cilës është pikërisht arsimimi. Ashtu siç e kemi mbështetur Universitetin e Tetovës vitet e kaluara, dhe këtë vit e mbështesim me projekte për pajisje laboratorike, me ndërtimin e konviktit shtetëror në Tetovë, i cili është në të mirën e drejtpërdrejtë të studentëve, për standard më të mirë dhe ndihmon buxhetin familjar të secilit student, me programe hulumtuese si COST, Horizon, Erasmus, Fulbright, ku këtë vit kemi dyfishuar buxhetin si nga Ministria po ashtu edhe nga Qeveria amerikane për studentët dhe hulumtuesit e universiteteve për programe studimi në universitete amerikane. Mbështetja e projekteve për zhvillimin e arsimit në përgjithësi dhe atij të lartë në veçanti, sidomos kur bëhet fjalë për arsim cilësor është ndër obligimet më të mirëseardhura të punës sonë.” tha Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Kryetari i Kuvendit në RMV, Talat Xhaferi tha se Universiteti i Tetovës ka prapa vetes një popull të tërë i cili e di vlerën e arsimit në gjuhën amtare por edhe e ndjeu në lëkurën e vet mohimin e kësaj të drejte themelore. Sipas tij, kur ke intelektualë shqiptarë guximtarë, kur ke studentë vullnetfortë, të etur për dituri dhe për përparim, nuk ka forcë që mund të ndalojë dritën që e bën dija me hapjen e horizonteve të pafundme. “Për fat të mirë, ky vullnet nuk është shuar, përkundrazi, prej dite në ditë rritet dhe konsolidohet akoma më shumë. Sot, kur shënojmë 29-vjetorin e themelimit, shohim edhe rritjen, integrimin, zgjerimin dhe avancimin e kësaj vatre arsimore. Gjërat kanë ndryshuar për të mirë. Jam i informuar se janë akredituar 183 programe studimore në ciklin e parë dhe të dytë dhe 17 të riakredituara të ciklit të tretë. Bashkëpunimi ndërkombëtar vazhdon dhe zgjerohet. Kërkimet shkencore zhvillohen në drejtimin e duhur dhe, edhe Universiteti i Tetovës e jep kontributin e pritur si edhe nga institucionet tjera akademike të themeluara shumë më herët se ai vetë. Jam i bindur se kjo është për shkak të faktit se studentët vazhdojnë të jenë shtylla kryesore dhe shpirti i këtij institucioni, natyrisht me udhëheqjen dhe mbështetjen e stafit akademik cilësor i cili prej gjenerate në gjeneratë prodhon cilësi dhe vlera të mirëfillta, u siguron studentëve ligjërim cilësor, i udhëzon dhe i orienton drejtë kah hapja e trurit për pranimin e informatave të reja, të botës bashkëkohore dhe progresive që mbërrin majat prej dite në ditë. Edhe ne si ligjvënës, bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet më të volitshme dhe më të përshtatshme për mirëqenien, rritjen dhe zhvillimin intelektual të brezave të rinj. Sfidat janë të mëdha, por ne të gjithë kemi obligim t’u ofrojmë pikënisjen më të mirë për të mbajtur hapin me botën. Sot, Tetova është qytet universitar me potencial të madh studentor ku energjia, vullneti dhe vizioni ndihen në çdo kënd dhe ne duhet të bëjmë maksimumin në fushëveprimin tonë për të mundësuar që kjo energji rinore, të kanalizohet, të orientohet dhe të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mirën e studentëve, të mjedisit lokal, por edhe qendror. Të kontribuojmë që të duan të mbesin këtu, në vendlindje, këtu të shohin shpresën dhe perspektivën për përmbushjen e aspiratave profesionale por, mbi të gjitha, familjare. Unë jam i bindur se suksesi i tyre do të jetë shpërblimi më i madh për të gjithë ne.” – tha Kryetari i Kuvendit në RMV, Talat Xhaferi.
Në këtë akademi historike, nuk mund të mungonin edhe mirënjohjet. Fillimisht, dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Brikend Aziri u dekorua me mirënjohje për numrin më të madh të citimeve për vitin 2023 në shkencat humane dhe sociale e më pas mirënjohje iu nda edhe ekipit të Universitetit të Tetovës në futsall për suksesin e korrur, pasi, në kuadër të Ligës Universitare të Futbollit në Futsall, këtë vit u shpallën kampionë të këtij kompeticioni.
Kjo akademi solemne u përmbyll me disa interpretime muzikore nga Dajana Malollari dhe Selami Kolonja, të shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftjari dhe Shkëlzen Pajaziti në violinë.