Në kuadër të vitit jubilar të 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës dhe memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar me Teatrin e Tetovës, më 18 prill 2024 para një audience të madhe në skenën e Teatrit të Tetovës u dha premiera e shfaqjes “Qentë e rezervuarit”, shfaqje kjo e diplomimit të studentëve të aktrimit (gjenerata 2020-2024) të Fakultetit të Arteve, programi studimor: Art Dramatik, udhëhequr nga Prof. Dr. Kushtrim Bekteshi, i cili po përcjell dhe gjeneratën e parë të aktorëve si profesor në universitetin tonë. Klasa përbëhet nga studentë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, gjashtë prej të cilëve performuan në këtë shfaqje: Plumb Beadini, Edmond Sadiki, Besian Sulejmani, Albrim Kryeziu, Jurgen Liçkollari, Elton Tahiri. Pjesë e shfaqjes ishin edhe aktorët profesionistë të cilët po ashtu kanë mbaruar studimet në Universitetin e Tetovës: Arsim Fazlia, Abdulla Osmani, Vullnet Ismani, Ardit Selmani.

Skenograf i shfaqjes është Betim Zeqiri, kostumografe Emira Ymeri, piktor Bilgaip Koçishte–Bige, ndërsa për posterin e shfaqjes u përkujdes Nagip Ismaili – Nagi.

I gjithë stafi artistik dhe teknik i shfaqjes ka punuar në baza vullnetare me qëllimin që t’u ndihmojë studentëve që të prezantohen denjësisht para publikut dhe shfaqja të realizohet me të gjithë komponentët e një shfaqjeje profesionale teatrore.

Udhëheqësi i klasës, njëkohësisht edhe regjisor i shfaqjes, Prof. Dr. Kushtrim Bekteshi, në fjalimin para audiencës falënderoi gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e involvuar në realizimin e kësaj shfaqjeje dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes dy institucioneve, që u kurorëzua me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit në mes Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zeneli dhe drejtorit të Teatrit të Tetovës, z. Abdulla Osmani dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi u realizua edhe kjo shfaqje diplomimi.

Në premierën e shfaqjes të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Mr. Senad Abduli shumë profesorë, studentë e ish- studentë, personalitete të njohura nga arti, letërsia, kultura dhe shkenca, qytetarë dhe familjarë të studentëve. Shfaqja u mirëprit me shumë duartrokitje, ndërsa pas shfaqjes të pranishmit u shoqëruan nga Rektori i UT-së dhe drejtori i Teatrit të Tetovës në koktejin e shtruar me rastin e kësaj premiere teatrore.

Shfaqja do të jetë pjesë e repertorit të rregullt të Teatrit të Tetovës, ndërsa mbrëmë u rishfaq përsëri në orën 20:00.