Pas takimit mirënjohës, të realizuar me 7 maj 2024 me ish-rektorët Prof. Dr. Nexhbedin Beadini, Prof. Dr. Sadi Bexheti, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prof. Dr. Reshat Qahili dhe Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, të cilët e kanë drejtuar Universitetin e Tetovës në të kaluarën, Rektori aktual, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 20 maj 2024 i ka pritur në kabinetin e tij familjarët e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Rektorit Prof. Dr. Ramiz Abdyli dhe Rektorit Prof. Dr. Agron Reka. Në këtë takim miqësor Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu vlerësimin e tij dhe të institucionit për tre rektorët që në periudha të ndryshme kohore e kanë kryer me përkushtim, devotshmëri dhe sukses të plotë detyrën e tyre në udhëheqjen e këtij institucioni që këtë vit e shënon vitin jubilar 30-vjetorin e themelimit, të veprimtarisë arsimore-shkencore dhe kulturore.
“Organet drejtuese të Universitetit tonë, stafi akademik dhe studentët e çmojnë lartë kontributin e themeluesit të këtij institucioni, profesor Fadil Sulejmanit, sakrificën, udhëheqjen dhe përballjen me sistemin e kohës, sistemin obskurantist, i cili me gjithë aparatin shtetëror e sfidonte funksionimin normal dhe legal të Universitetit të Tetovës. Mirëpo falë vendosmërisë së rektorit të parë, mbështetjes së gjerë që gëzonte në popull, ky institucion arriti ta përmbushte objektivin e tij për të cilin edhe u themelua në vitin 1994. Po ashtu ne si drejtues e çmojmë dhe e kujtojmë edhe punën e suksesshme edhe të rektorëve Prof. Dr. Ramiz Abdyli dhe Prof. Dr. Agron Reka që në kohë të ndryshme dhe me shumë sfida, e udhëhoqën me sukses këtë institucion arsimor-shkencor dhe vatër që e përbën identitetin tonë kombëtar.”- u shpreh Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ish-rektorët që kanë ndërruar jetë vite më parë, në këtë takim u përfaqësuan nga bashkëshortja e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, Prof. Dr. Haxhere Sulejmani dhe i biri i Prof. Dr. Agron Rekës, Shkëlqim Reka, ndërkaq Prof. Dr. Ramiz Abdyli i cili për arsye objektive nuk ishte i pranishëm, u përfaqësua nga i biri i tij, regjisori Kastriot Abdyli.
Në përfundim të këtij takimi, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e dhënë në drejtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, familjarëve të rektorëve të lartpërmendur u ndau mirënjohje. Të gjithë ish-rektorët dhe familjarët e tyre kanë shprehur vlerësimin për udhëheqjen aktuale të UT-së e cila i përkujton drejtuesit ndër vite, rrugën e vështirë dhe plot sakrifica që ka kaluar ky institucion për të arritur në këto nivele dhe standarde bashkëkohore sikurse universitetet e njohura nga rajoni dhe arena ndërkombëtare.