Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, u promovua libri kushtuar profesorit dhe veprimtarit të shquar nga Kosova, Ukshin Hotit, i titulluar “Kodi rajonal, filozofik, shkencor i zgjidhjes së çështjes shqiptare”, i cili përmban shkrimet origjinale të Ukshin Hotit, të cilat i ka grumbulluar dhe botuar bashkëveprimtari i tij, Halil Kuliqi.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu foli për dy dimensionet e profesorit Ukshin Hoti; i pari, dimensioni i qasjes së tij reale me politikën dhe i dyti, dimensioni hulumtues-shkencor apo teorik. “Profesor Ukshin Hoti e ndërton figurën e tij duke sublimuar personalitetin e tij, të një politikani karizmatik dhe të drejtpërdrejtë nga njëra anë, me një studiues bashkëkohor të filozofisë politike, nga ana tjetër. Karakterin e tij me qasjen praktike politike e përmbledh me thënien, citoj: ‘bëje ose vdis’, që tregon se profesor Hoti, ishte në gjendje dhe e sakrifikoi jetën e tij për idealin për liri. Në anën tjetër edhe veprimtaria shkencore e Ukshin Hotit është shumë e begatë. Ukshin Hoti, ndër të parët i hulumtoi thellë raportet e shqiptarëve me fuqitë e mëdha të kohës, si dhe relacionin e shqiptarëve me faktorin ndërkombëtar. Tani të gjithë pajtohemi se ishte Ukshin Hoti që drejtoi kombin shqiptar për miqësinë me Evropën dhe me SHBA-të. Profesor Ukshin Hoti me idetë e tij e trasoi rrugën e të gjithë shqiptarëve, në konceptin institucional. Thënë shkurt, rilidhja jonë e parë me Evropën dhe SHBA-të si ide dhe veprim ka qenë vetë Ukshin Hoti.” – u shpreh fillimisht dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Në vijim të fjalimit të tij, dekani theksoi se studimet e Ukshin Hotit janë të dobishme, me vlera të larta shkencore me stil të thjeshtë e të qartë, gjë që e bën të pamundur një analizë të vetme përmbledhëse sado e vëllimshme qoftë. “Dëshiroj të theksoj segmentin themeltar të profesor Ukshin Hotit, që ishte më shumë se filozof politikan dhe politikan filozof. “E vërteta e kohshme është shkenca”, thotë ai, prandaj botëkuptimi i tillë i politikës si intelekt apo shkencë në funksion të interesave të caktuara, mbështetet mbi funksionin e politikës si shkencë që në fillim të konstituimit të saj. Politika ishte e lidhur me raportin e njeriut me natyrën, me përpjekjet e tij që ta kontrollojë natyrën, dhe në qoftë se ne të gjithë natyralisht ndihemi shqiptarë, mund të themi se Ukshin Hoti e njohu dhe e shfaqi natyrën tonë shqiptare, ashtu si jemi ne dhe jo si na duan dhe na shohin të tjerët.” – tha mes tjerash dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Autori Halil Kuliqi e falënderoi Universitetin e Tetovës për mundësinë e dhënë dhe të gjithë ata që bashkëpunuan me të, që këto shkrime të botohen. Më pas ai shpalosi disa pika të rëndësishme nga parathënia e librit. “Në këto shkrime të shkruara nga dora e tij është thënë çdo gjë: politika ndërkombëtare, politika kombëtare, dashuria për atdheun, dashuria për fëmijët e tij, dhimbja, vuajtja, maltretimi, urrejtja, skamja, hidhërimi, dëshpërimi, biseda, ndeja, kërcënimi, mosrespektimi, moszgjidhja e problemit të Kosovës, moszgjidhja e fatit të fëmijëve të tij dhe çdo gjë që ai ka pasur në jetën e tij, që nga lindja dhe derisa është burgosur nga “klasa” politike titoiste, intelektuale, fetare, fshatare deri tek të afërmit e tij të Krujës. Ukshin Hoti me shkrimet e tij shkencore, filozofike, politike, juridike, sociologjike, ekonomike, kombëtare, ndërombëtare etj., i tejkalon filozofët e të gjitha kohërave. E tejkalon filozofinë e Aristotelit, të Sokratit e të tjerëve. Me oratorinë e të folurit të tij të bukur, artistik, stabil, të ëmbël, të butë, melankolik, të artë, të zjarrtë kur ishte nevoja, ia tejkalon oratorit më të famshëm të të gjitha kohërave, Ciceronit.” – thuhet mes tjerash në parathënien e këtij botimi.
Ndërkaq për veprimtarinë akademike dhe politike të Ukshin Hotit folën Prof. Dr. Abdylnaser Sinani dhe Prof. Dr. Isak Sherifi.