Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, përmes programeve studimore: Biologji, Fizikë, Kimi, më 20 maj 2024 e organizoi punëtorinë, përkatësisht Triologjinë shkencore, ndërkaq programi studimor i Historisë dhe programi studimor Psikologji në Fakultetin Filozofik, më 21 dhe 22 maj 2024, zhvilluan punëtori me maturantët e shkollave të mesme të qytetit të Tetovës.

Këto aktivitete u realizuan në përmbyllje të semestrit të dytë të vitit akademik 2023/2024 dhe kishin për qëllim informimin e maturantëve në prag të shpalljes së konkursit për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Tetovës.

Punëtoritë e kësaj natyre dhe agjenda informuese me ofertën akademike të Universitetit të Tetovës janë mirëpritur nga maturantët e vendit tonë aq më tepër për faktin se ndihmojnë në orientimin profesional në përzgjedhjen e profesionit të tyre.

UT pritet që së shpejti të shpallë konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/2025, ku do të bëhen të ditura detaje për afatet e regjistrimit, programet e reja si dhe numri i kuotave për studentët e vendit dhe për studentët e jashtëm.