Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës dhe IPKKF “RINIA” – Tetovë, më 7 tetor 2024, nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Akti i bashkëpunimit u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmeti dhe drejtoresha e IPKKF “RINIA” – Tetovë, znj. Fatlinda Jaja.
Marrëveshja u nënshkrua si nevojë për zhvillimin dhe realizimin e praktikës dhe stazhit pedagogjik të studentëve të programit studimor Edukim Parashkollor, ku ndër të tjera parashihet edhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta si seminare, konferenca, punëtori dhe veprimtari të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme të të dyja institucioneve dhe forma të tjera të bashkëpunimit.
Sipas marrëveshjes, palët po ashtu janë dakorduar të ndajnë informata relevante të interesit të ndërsjellë, të ftohen dhe të marrin pjesë në trajnime profesionale, seminare, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe ngjarje të tjera, që lidhen me forcimin e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve të të dyja institucioneve si dhe bashkërisht të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të përshtatshme me nevojat e përdoruesve të shërbimeve të institucioneve nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Institucionet nënshkruese të marrëveshjes, do të ndajnë këshilla profesionale, përvojat ekzistuese dhe novitete për veprimtarinë e tyre.