Me ftesë të Universitetit Politeknik Kombëtar të Lvivit dhe Akademisë Ukrainase të Ndërmjetësimit, profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Faton Shabani, e përfaqësoi UT-në në Konferencën shkencore ndërkombëtare “Ndërmjetësimi dhe Universitetet 2.0”, të mbajtur më 14 nëntor 2025 në Universitetin Politeknik Kombëtar të Lvivit, në bashkorganizim me Akademinë Ukrainase të Ndërmjetësimit. Kjo konferencë bëri bashkë akademikë, shkencëtarë, gjyqtarë, avokatë, ndërmjetësues, përfaqësues të biznesit dhe të qeverisë, për të diskutuar trendet dhe perspektivat aktuale të zhvillimit të ndërmjetësimit.

Prof. Dr. Faton Shabani në këtë konferencë i paraqiti rezultatet më të fundit nga hulumtimi i realizuar me titull “Zbatimi praktik i ndërmjetësimit në biznes”. Sipas tij, ndërmjetësimi në kohën moderne shihet jo vetëm si metodë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, por edhe si mekanizëm inovativ për transformimin e raporteve në fushat e ndryshme, përfshirë edhe biznesin. Mosmarrëveshjet në raportet biznesore, janë treguar të përshtatshme për t’u zgjidhur përmes procedurës së ndërmjetësimit. Statistikat e përpunuara nga autori, ofrojnë prova se në Maqedoninë e Veriut zbatueshmëria e ndërmjetësimit në biznes po tregon rritje të vazhdueshme.