Universiteti i Tetovës shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit akademik, Absolventiadën 2026, ceremoninë kushtuar studentëve që përfunduan me sukses studimet universitare. Në praninë e drejtuesve të Universitetit, profesorëve, prindërve, familjarëve dhe mysafirëve, absolventët kremtuan përmbylljen e një etape të rëndësishme të jetës së tyre akademike dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional.

Në fillim të pranishmit i përshëndeti Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, i cili foli për rëndësinë e arsimit të lartë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përgjegjësisë që bart secili i diplomuar në ndërtimin e së ardhmes së shoqërisë. “Universiteti i Tetovës, si vlerë e shenjtëruar, është kurorëzimi i një ëndrre brezash për ndriçim kulturor e qytetërimor. Është projekti më madhor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e më gjerë. Është simbol i mbrothësisë kulturore, shkencore e kombëtare. Prandaj, fort të dashur studentë e studente, jini krenarë e krenare, që jeni pjesë e Universitetit të Tetovës, të cilin kudo dhe kurdo duhet ta përmendni me respekt dhe admirim. Duke e respektuar institucionin ku studioni dhe diplomoni, ju nesër do të respektoheni në profesionet që do të ushtroni. Se i vetëpërbuzuri kurrë nuk vlerësohet nga të tjerët…Ju e keni kapitalin moral, kulturor dhe intelektual të bëheni avangardë për mbrothësinë e shoqërisë dhe të kombit. Universiteti i Tetovës është Juaji tani përgjithmonë. Ai pret ta lartësoni emrin e tij kudo ku jetoni dhe kudo ku do të punoni” – u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Salajdin Salihi.

Në emër të gjeneratës së absolventëve, fjalë rasti mbajti studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Leart Ibrahimi, i cili shprehu mirënjohjen e studentëve për Universitetin e Tetovës, profesorët dhe familjet e tyre. “Në emër të të gjithë studentëve, shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për universitetin tonë – institucionin që na hapi dyert e dijes, na formoi si profesionistë dhe si qytetarë dhe na përgatiti për sfidat e jetës. Këtu fituam dije, ndërtuam karakterin, krijuam miqësi që do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës dhe mësuam se suksesi nuk arrihet vetëm me talent, por me disiplinë, përkushtim dhe përgjegjësi”, theksoi studenti ekselent, Leart Ibrahimi.

Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i uroi absolventët për përfundimin me sukses të studimeve, duke theksuar se kjo ditë nuk shënon fundin e një rrugëtimi, por fillimin e një përgjegjësie të re. “Jemi mbledhur këtu jo vetëm për të shënuar përfundimin e studimeve tuaja universitare, por edhe për të festuar fillimin e një etape të re në jetën tuaj. Ky është një moment krenarie për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë ata që kanë besuar në potencialin dhe ëndrrat tuaja”, u shpreh Rektori.

Ai theksoi se Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në formimin e profesionistëve të aftë dhe qytetarëve me integritet, duke nënvizuar se shoqëria pret shumë nga brezi i ri i të diplomuarve. “Në mesin tuaj ndodhen mjekët që do të kujdesen për jetën e njerëzve, juristët që do të mbrojnë drejtësinë, ekonomistët që do të ndërtojnë zhvillimin ekonomik, inxhinierët që do të krijojnë teknologjitë e së nesërmes, mësuesit dhe pedagogët që do të edukojnë brezat e ardhshëm, artistët që do ta pasurojnë kulturën tonë dhe sportistët që do ta përfaqësojnë vendin me dinjitet. Secili prej jush bart përgjegjësinë për të lënë gjurmë në profesionin dhe në shoqërinë ku do të veprojë”, theksoi Rektori i UT-së.

Duke iu drejtuar prindërve, ai shprehu mirënjohjen për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke vlerësuar se sakrifica e tyre ka qenë pjesë e pandashme e suksesit të çdo studenti. Ceremonia përfundoi me këngën “Tetovë – Tiranë”, të interpretuar nga profesor Bajramali Idrizi dhe tenori i mirënjohur Kastriot Tusha. Përmes vargjeve dhe interpretimit emocional, kënga shpalosi ndjenjën e përkatësisë kombëtare, dashurinë për trojet shqiptare dhe lidhjen e pandashme shpirtërore.