Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, shkëlqesia e saj Kate Marie Byrnes, sot qëndroi për vizitë pune në Universitetin e Tetovës. Në UT, ambasadorja amerikane u prit nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili e falënderoi që e zgjodhi pikërisht Universitetin tonë për të mbajtur ligjëratën lidhur me integrimet.
Ai tha se Universiteti i Tetovës dhe populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin dhe kontributin e tyre që kanë dhënë në mbështetje të Universitetit tonë, që në hapat e parë të themelimit, si dhe për angazhimin e tyre ndër vite për promovimin e demokracisë dhe vlerave të mirëfillta akademike përmes Ambasadës së SHBA-ve në vendin tonë. “Jam tejet i lumtur që sot në Universitetin e Tetovës, të gjithë së bashku, pedagogë e studentë, kemi nderin të jemi nikoqir i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Kate Marie Byrnes. Vizita e zonjës ambasadore në institucionin tonë realizohet në një muaj të veçantë për Universitetin e Tetovës, sepse dhjetori është muaji i themelimit të UT-së, është muaji i përvjetorit të këtij institucioni tashmë të dëshmuar në veprimtarinë arsimore dhe shkencore. Ndaj, sot me këtë aktivitet të rëndësishëm ku do të përcjellim ligjëratën e zonjës ambasadore, ne e fillojmë agjendën zyrtare për shënimin e 25 – vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, me ç’rast e rikonfirmojmë partneritetin 25 vjeçar mes UT-së dhe SHBA-ve, bashkëpunimin e shkëlqyer në lëmin e arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Studentët, profesorët dhe të gjithë punonjësit e Universitetit u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre për këtë institucion që në hapat e parë të themelimit, për angazhimin tyre për promovimin e demokracisë dhe të vlerave të mirëfillta akademike. Ne si drejtues të Universitetit, kemi punuar pareshtur që këtë miqësi ta kultivojmë, ta ruajmë të shëndoshë për t’i hapur rrugë bashkëpunimit të mirëfilltë me universitetet amerikane, me profesorë të njohur amerikanë që ligjërojnë në fakultetet tona, sikundër bashkëpunojmë edhe në disa projekte shkencore ndërkombëtare në lëmi të ndryshme”, deklaroi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai, më tej në fjalën e tij theksoi se falë bashkëpunimit të frytshëm mes nesh dhe partneritetit serioz institucional, sot ne i prekim rezultatet e projekteve të përbashkëta me Universitetin e Ilinoisit Verior, siç janë funksionalizimi i plotë i Qendrës për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor, dhe akreditimi i programit studimor për Administrim biznesi në studimet e ciklit të dytë, program i cili menaxhohet dhe koordinohet mes njësive tona akademike, Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Administrim Biznesit të Universitetit të Ilinoisit Verior. “Përmes këtyre projekteve ne punojmë në promovimin e vlerave properëndimore, diskutimin e lirë, mbrojtjen e paqes nëpërmjet modelit arsimor, sikundër angazhohemi t’i thellojmë studimet shkencore dhe përgatitjen e drejtuesve të suksesshëm, të aftë për të drejtuar sipërmarrje, kompani të ndryshme që operojnë në tregun global të punës. Për ne drejtuesit, profesorët dhe studentët e Universitetit tonë, i paharrueshëm mbetet kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lidhet me momentet kyçe për ekzistencën e këtij institucioni të arsimit të lartë. Ne besojmë se roli i ekselencës së saj, ambasadores amerikane në vendin tonë, do të jetë vendimtar si në sferën arsimore në jetën politike dhe shoqërore, për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të gjithë rajonit”, përfundoi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa Ambasadorja Kate Marie Byrnes, në ligjëratën e saj që prezantoi para studentëve u fokusua te të rinjtë, të cilët janë e ardhmja e një vendi dhe si të tillë duhet të ngrenë zërin për ndryshime për një të ardhme më të ndritur. Pas ligjëratës, studentët patën mundësi të bëjnë pyetje të ndryshme rreth të ardhmes së Maqedonisë në strukturat euroatlantike, problemin e emigrimit të të rinjve. Ambasadorja e SHBA-ve, zonja Kate Marie Byrnes apeloi deri te studentët që të bëjnë përpjekje për të krijuar mundësi reale në vendlindje. “Krijoni mundësi në vendin tuaj. Është normale që të rinjtë të lëvizin nëpër botë, për eksperienca të reja por ne jemi të interesuar që t’i shërbejmë komunitetit tonë, familjes dhe shtetit ku jetojmë. Përgjigja e vërtetë është të gjejmë një mënyrë për të krijuar mundësi për të gjithë ju të rinjtë, që ta gjeni dhe ndërtoni jetën tuaj këtu”, tha znj. Kate Marie Byrnes .
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe vizitën në UT, Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ambasadores amerikane i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Zyra për Informim