Universiteti i Tetovës, i përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi për veprimtarinë shkencore dhe profesionale në fushën e farmacisë me Institucionin Privat Shëndetësor (IPSH) “Moja Apteka” dhe IPSH “Zegin Farm” nga Shkupi, të përfaqësuara nga drejtoresha Viktorija Mehandzhiska.
Këto marrëveshje synojnë të krijojnë një kornizë të përbashkët për avancimin e aktiviteteve edukative, kërkimore dhe aplikative, duke e lidhur më ngushtë komunitetin akademik me atë profesional dhe të biznesit.
Bashkëpunimi parashikon gjithashtu krijimin e një mjedisi të përbashkët veprimi ndërmjet komunitetit të biznesit dhe atij akademik, me qëllim zhvillimin e programeve studimore më konkurruese në tregun e punës, organizimin dhe realizimin e projekteve aplikative, aktiviteteve konsultative, si dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit dhe përvojave.
Po ashtu, marrëveshjet përfshijnë mbështetje profesionale, shkencore dhe teknike për përgatitjen e analizave sipas nevojave të palëve, si dhe organizimin dhe pjesëmarrjen në trajnime, takime shkencore e profesionale, konferenca, simpoziume dhe forma të tjera edukative.
Përveç nënshkrimit të këtyre memorandumeve, Universiteti i Tetovës ka pranuar edhe një donacion nga Fondacioni “Dr. Verica Mehandzhiska” nga Shkupi, i përfaqësuar nga Viktorija Mehandzhiska. Donacioni përfshin pajisjen laboratorike spektrofotometër UV-Vis Shimadzu UV1900i.
Kjo pajisje do të jetë në shërbim të studentëve të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore për zbatimin praktik të lëndëve në programin e Farmacisë, duke u mundësuar atyre kushte bashkëkohore për punë praktike dhe aplikative.
Në këtë veprimtari të rëndësishme për Universitetin e Tetovës, të pranishëm ishin, Sekretari i përgjithshëm, z. Adem Beadini, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihu, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, përgjegjësi i Zyrës për Financa dhe Kontabilitet, Doc. Dr. Imbërjah Tairi, profesoresha nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Arijeta Shabani, si dhe sekretarja e Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, znj. Hatixhe Bajrami.






