Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishi organizuan një pritje speciale për kampionin olimpik special Agron Hajredinin dhe trajnerët e tij Ifraim Luta dhe ndihmës trajnerin Elmedin Mustafa.
Atleti Agron Hajredini në lojërat speciale olimpike botërore, të personave me aftësi të veçanta, që u mbajtën në Berlin të Gjermanisë, arriti që të shpallet kampion olimpik, ku edhe fitoi medaljen e artë në atletikë në kategorinë kërcim në gjatësi nga vendi prej 1.60 cm.
Fillimisht, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i përgëzoi ata për suksesin që kanë arritur në olimpiadën speciale botërore. Ai tha se, atleti Agron Hajredini duhet të jetë shembull për të gjithë ne të tjerët se si duhet angazhuar dhe përkushtuar për të arritur majat e suksesit. Ky sukses i tij sa është motivues për vet Agronin është motiv shtesë edhe për trajnerët e tij, por dhe për ne të tjerët që bartim përgjegjësi publike.
Ndërsa Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti tha se Agroni me fitoren e tij në këtë olimpiadë jo vetëm që ka shkruar emrin e tij në historinë e këtij sporti, por na ka nderuar edhe neve si shoqëri dhe si shtet. Andaj, ne si institucion gjithmonë do të jemi të hapur që me mundësitë tona t’i ndihmojmë njerëzit të cilët me veprat e tyre na bëjnë krenarë të gjithëve.
Kurse Atleti Agron Hajredini dhe trajneri i tij Ifraim Luta i falënderuan drejtuesit e Universitetit të Tetovës për mundësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme që u kanë dhënë atyre, sidomos në shfrytëzimin e terreneve sportive të Universitetit të Tetovës, sa herë që kanë pasur nevojë.
Në Olimpiadën Speciale Botërore morën pjesë mbi 7000 atletë nga 190 vende të ndryshme të botës, ndërsa në shenjë respekti për suksesin e arritur në këto gara, drejtuesit e UT-së, atletit Agron Hajredini dhe trajnerëve të tij u ndanë disa dhurata simbolike.
Zyra për informim