Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, më 22 tetor 2026 u organizua një aktivitet akademik kreativ, i titulluar “Ekspozita e PsikoCV-ve”. Veprimtaria u realizua nga studentët e vitit të parë të Katedrës së Psikologjisë, nën mentorimin e profesorëve Prof. Dr. Qufli Osmani dhe Teuta Idrizi.

Përmes prezantimit të PsikoCV-ve të tyre, studentët dëshmuan se studimi i psikologjisë nuk kufizohet vetëm në përvetësimin e njohurive mbi sjelljen dhe mendjen njerëzore, por kërkon edhe përfshirje aktive, kreativitet dhe reflektim personal. Duke e shndërruar CV-në tradicionale në një projekt krijues dhe reflektues, ata patën mundësinë të prezantojnë identitetin, potencialin, interesat dhe aspiratat e tyre, duke e përjetuar psikologjinë në mënyrë praktike që në javët e para të studimeve.

“Ekspozita e PsikoCV-ve” përfaqëson një shembull konkret të qasjes bashkëkohore në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, ku studenti vendoset në qendër të përvojës akademike dhe nxitet të jetë pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e dijes. Përmes aktiviteteve të tilla, teoria ndërthuret me praktikën, ndërsa procesi mësimor shndërrohet në një përvojë më dinamike, interaktive dhe domethënëse.

Ky aktivitet pasqyron gjithashtu orientimin e Katedrës së Psikologjisë të Universitetit të Tetovës drejt zhvillimit të kompetencave praktike, digjitale dhe të mendimit kritik, në përputhje me kërkesat e epokës bashkëkohore. Përtej memorizimit tradicional të njohurive, vëmendje e veçantë i kushtohet aftësisë së studentëve për të menduar në mënyrë kritike, për të shprehur individualitetin dhe për të shfrytëzuar teknologjinë në funksion të zhvillimit të tyre akademik e profesional.

Në këtë frymë, zhvillimi profesional i stafit akademik dhe përparimi i studentëve ecin paralelisht, dhe kontribuojnë në krijimin e një mjedisi universitar që promovon inovacionin, kreativitetin dhe përdorimin efektiv të teknologjisë në arsim.