Në ambientet e Qendrës për Kulturë në Strugë (30 maj 2026), u hap ekspozita tradicionale e absolventëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, e titulluar “Gjurmë”, një manifestim artistik që përfaqëson kulmin e rrugëtimit akademik të studentëve dhe njëkohësisht shënon hyrjen e tyre në botën profesionale të artit bashkëkohor. Ekspozita u realizua nën përkujdesjen dhe mentorimin e profesorit Mixhait Pollozhani, i cili prej vitesh kontribuon në formimin artistik dhe profesional të brezave të rinj të krijuesve.

Ceremonia e hapjes u moderua nga studentja Diellza Idrizi, e cila e ftoi për fjalën përshëndetëse profesoreshën e Historisë së Artit, Jëlldëz Asani. Në adresimin e saj,  ajo vlerësoi rolin dhe kontributin e profesorit Pollozhani në edukimin e studentëve, duke e theksuar përkushtimin e tij të palodhshëm në mbështetjen e proceseve krijuese dhe zhvillimin profesional të tyre.

“Pavarësisht sfidave të shumta që e kanë shoqëruar arsimin artistik ndër vite, profesori Mixhait Pollozhani ka qenë gjithmonë pranë studentëve, duke i udhëhequr, motivuar dhe mbështetur në rrugëtimin e tyre krijues. Angazhimi i tij ka qenë vendimtar në formimin e shumë artistëve të rinj dhe në realizimin e aktiviteteve të rëndësishme kulturore si kjo ekspozitë”, theksoi profesoresha Jëlldëz Asani, sikundër nënvizoi rëndësinë e prezantimit publik të veprave artistike në një hapësirë institucionale si Qendra për Kulturë në Strugë. Sipas saj, dalja përpara publikut përmes një ekspozite përbën një akt të rëndësishëm afirmimi artistik, që kërkon guxim, vetëbesim dhe përgjegjësi profesionale. Çdo vepër e ekspozuar, tha ajo, përfaqëson jo vetëm aftësitë teknike të autorit, por edhe identitetin e tij krijues, përvojën akademike dhe vizionin artistik.

Në vijim, profesori Mixhait Pollozhani i falënderoi studentët për bashkëpunimin, seriozitetin dhe përkushtimin e treguar gjatë procesit të realizimit të veprave. Ai shprehu krenarinë për rezultatet e arritura dhe besimin se kjo ekspozitë paraqet vetëm fillimin e një rrugëtimi të gjatë e të suksesshëm në fushën e artit dhe kulturës.

Një dimension të veçantë konceptual ekspozitës ia dha edhe parathënia e katalogut, e shkruar nga studentja Nurten Zeqiri, e cila reflekton mbi kuptimin simbolik të titullit “Gjurmë”. Sipas saj, arti përfaqëson gjurmën e pashlyeshme që njeriu lë në kohë përmes emocioneve, mendimeve dhe formave të ndryshme të shprehjes krijuese. Ajo thekson se arti tejkalon kufijtë e mediumeve individuale dhe shndërrohet në një gjuhë universale komunikimi, e aftë të lidhë përvojat njerëzore përtej hapësirës dhe kohës.

Ekspozita solli para publikut një gamë të gjerë krijimesh artistike, duke përfshirë pikturën, dizajnin grafik, artin digjital, posterin artistik dhe projektet e artit konceptual. Veprat e prezantuara pasqyrojnë procesin e zhvillimit akademik dhe krijues të studentëve gjatë viteve të studimit, duke dëshmuar nivelin e tyre profesional dhe kërkimin e vazhdueshëm për forma të reja shprehjeje artistike.

Në përmbyllje të ceremonisë, profesori Mixhait Pollozhani shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën “Gjurmë” dhe uroi artistët e rinj Trëndelinën, Elin, Elonin, Albinën, Afronën, Anilën, Arbnorën, Ermonelën, Hatixhen, Rianën, Valdrinin dhe Yllzën – për sukseset e deritanishme, duke u dëshiruar frymëzim të pandërprerë, krijimtari të pasur dhe arritje të reja në karrierën e tyre profesionale.

Ekspozita “Gjurmë” dëshmoi potencialin krijues, seriozitetin profesional dhe vizionin artistik të gjeneratës së re të krijuesve, duke dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e jetës kulturore të Strugës. Njëkohësisht, ajo riafirmoi rolin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës si një institucion i rëndësishëm në edukimin, promovimin dhe afirmimin e talenteve të reja në skenën artistike shqiptare dhe më gjerë.