Në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS, gjatë periudhës 4–7 maj 2026, në Universitetin Josip Juraj Strossmayer në Osijek (Kroaci), u zhvilluan aktivitete profesionale në kuadër të projektit “Menaxhimi i zinxhirëve të furnizimit: Nga këndvështrimi i industrive nacionale”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues universitetesh nga disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, me synimin e forcimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të praktikave bashkëkohore në fushën e menaxhimit të zinxhirëve të furnizimit dhe ekonomisë cirkulare.

Në këtë rrjet prestigjioz, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Fakulteti Ekonomik, përkatësisht nga dekani Prof. Dr. Brikend Aziri dhe Doc. Dr. Ali Maksuti, drejtor i Qendrës për Ekonomi Cirkulare. Pjesëmarrja e tyre u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit institucional dhe promovimin e kapaciteteve shkencore të fakultetit në arenën ndërkombëtare.

Programi i aktiviteteve nisi me një takim koordinues ndërmjet universiteteve partnere të rrjetit, ku morën pjesë institucione nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Hungaria, Moldavia, Mali i Zi, Polonia dhe Rumania. Takimi shërbeu për të diskutuar mbi sfidat bashkëkohore të menaxhimit të zinxhirëve të furnizimit, digjitalizimit ekonomik dhe tranzicionit drejt modeleve të zhvillimit.

Gjatë qëndrimit në Osijek, Prof. Dr. Brikend Aziri mbajti ligjëratë me temë “Supply Chains Performance: Achieving Strategic Fit and Scope”, para studentëve vendas dhe ndërkombëtarë, duke trajtuar dimensionet strategjike të performancës së zinxhirëve të furnizimit dhe rëndësinë e harmonizimit ndërmjet objektivave organizative dhe kërkesave të tregut global.

Nga ana tjetër, Doc. Dr. Ali Maksuti realizoi disa takime me përfaqësues të universiteteve partnere, ku në fokus ishte avancimi i Qendrës për Ekonomi Cirkulare të Fakultetit Ekonomik drejt një platforme të përbashkët kërkimore ndërkombëtare. Gjithashtu, ai mori pjesë edhe në panairin e karrierës të organizuar nga universiteti mikpritës, duke promovuar rëndësinë e afrimit arsimit të lartë me tregun e punës dhe sektorin industrial.

Në frymën e vetë projektit, delegacionet universitare realizuan edhe vizita studimore në kompani dhe biznese të rëndësishme në Osijek, ku pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me praktikat moderne të menaxhimit logjistik, proceseve prodhuese dhe modeleve të ekonomisë së zhvilluar.