Në vazhdën e aktiviteteve të prezantimit të ofertës akademike 2026/2027, Universiteti i Tetovës përmes Fakultetit Ekonomik realizoi një aktivitet promovues me maturantët e Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku” në Shkup.
Në këtë kuadër u organizua me sukses punëtoria me titull “Vendimet tuaja sot, ekonomia e nesërme”, e cila mblodhi nxënës të interesuar për të thelluar njohuritë e tyre në fushën e ekonomisë dhe për t’u njohur më nga afër me programet studimore të Fakultetit Ekonomik.
Punëtoria u udhëhoq nga prodekania për arsim, Prof. Dr. Elsana Aqifi, në koordinim me shefat e programeve studimore. Përmes rasteve studimore mbi vendimet ekonomike në periudha krizash ekonomike dhe financiare, nxënësit u nxitën të kuptojnë më mirë rëndësinë e marrjes së vendimeve të qëndrueshme dhe të mirargumentuara.
Aktiviteti u konceptua si një punëtori interaktive dhe praktike, ku maturantët patën mundësinë të shprehin idetë dhe pikëpamjet e tyre lidhur me mënyrat e përballimit të situatave ekonomike sfiduese. Përmes analizave dhe diskutimeve të strukturuara, ata arritën të kuptojnë më qartë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të vendimeve ekonomike.
Gjatë zhvillimit të punëtorisë, nxënësit treguan nivel të lartë angazhimi dhe mendim kritik, duke ofruar zgjidhje kreative dhe të argumentuara për sfidat e paraqitura. Diskutimet e zhvilluara dëshmuan rëndësinë e edukimit ekonomik që në fazat e hershme të arsimimit.
Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi ndikimin e vendimeve të tyre në të ardhmen ekonomike, duke i inkurajuar ata të zhvillojnë aftësi analitike dhe vendimmarrëse – kompetenca thelbësore për përballimin e sfidave të një mjedisi ekonomik gjithnjë në ndryshim.











