Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës mbajti mbledhje komemorative në nderim të profesorit të ndjerë Prof. Dr. Ramiz Abdyli i cili ishte ndër figurat më të shquara në fushën e arsimit dhe historiografisë shqiptare. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur, ai dha kontribut të vyer në procesin arsimor dhe në kërkimin shkencor. Në cilësinë e rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ramiz Abdyli luajti rol të rëndësishëm në avancimin institucional dhe akademik të këtij institucioni.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij të rastit u shpreh se Prof. Dr. Ramiz Abdyli ishte një personalitet i shquar në shumë fusha, veçanërisht në sferën arsimore, por edhe me një kontribut të veçantë në kërkimin shkencor, në menaxhim dhe në të gjitha dimensionet e zhvillimit akademik e shoqëror. “Prof. Dr. Ramiz Abdyli ishte dhe mbetet i veçantë. Puna e tij e palodhur, përkushtimi, sakrifica, guximi dhe veprimtaria e gjithanshme do të jenë gjithmonë një motiv frymëzues për studentët tanë dhe për gjeneratat që do të vijnë. Universiteti i Tetovës ndien dhimbje për humbjen e tij, por mbi të gjitha ndihet krenar që ka pasur një rektor dhe një veprimtar të tillë, i cili me jetën dhe veprën e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Puna dhe përkushtimi i Prof. Dr. Ramiz Abdylit do të mbeten pjesë e misionit dhe vizionit tonë për zhvillimin e gjithanshëm të Universitetit të Tetovës.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se ideali i tij, ashtu si i shumë intelektualëve të shquar shqiptarë, ishte përparimi i kombit dhe zhvillimi i arsimit dhe shoqërisë në të gjitha viset shqiptare. Për këtë kontribut të çmuar, ai do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë dhe e kujtesës sonë kombëtare. “Kontributi i tij ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme në themelimin, konsolidimin dhe funksionimin e universitetit tonë, i cili sot qëndron si dëshmi e përkushtimit dhe sakrificës së brezave të tërë. Me vizionin e tij largpamës, ai hapi rrugë për shumë studiues të rinj, kudo që veproi, veçanërisht për ata që dolën nga Universiteti i Tetovës, duke i mbështetur dhe duke i inkurajuar që të ndjekin rrugën e dijes dhe të kërkimit shkencor. Sot, duke e kujtuar, ne nderojmë një vlerë, një ideal dhe një trashëgimi që na obligon të vazhdojmë rrugën e tij. Vepra dhe angazhimi i tij mbeten një shembull i ndritur dhe një udhërrëfyes i qartë për të gjithë ne, se si një intelektual i vërtetë i shërben kombit me dinjitet, përgjegjësi dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealeve madhore.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Biografinë e Prof. Dr. Ramiz Abdylit e paraqiti Prof. Dr. Qerim Dalipi: “Ai ishte kryeredaktor i disa revistave shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe në Shqipëri. Profesor Ramizi nuk ishte vetëm një profesor dhe studiues, ai ishte një dritë udhërrëfyese për breza të tërë studentësh. Me pasionin e tij për historinë e popullit shqiptar, me durimin për të shpjeguar çështjet dhe me thjeshtësinë që karakterizon njerëzit e mëdhenj, ai la gjurmë të pashlyeshme në jetën akademike të Universitetit të Tetovës, të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Si kolegë, ne e kujtojmë me respekt përkushtimin e tij maksimal. Ai ishte një njeri i punës, i parimeve dhe i ndershmërisë. Çdo bisedë me të ishte një mësim, çdo debat një mundësi për të mësuar diçka të re. Ai i trajtonte universitetin dhe institutin si “Shtëpi Dijeje”, duke dhënë gjithçka për të ruajtur standarde të larta akademike. Për studentët, ai ishte më shumë se një profesor; ai ishte një mentor që i inkurajonte ata të pyesnin, të mendonin në mënyrë kritike, dhe të vinin në rezultate të qëndrueshme shkencore. Ai besonte në fuqinë e arsimit për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe e përcillte këtë besim me çdo ligjëratë. Profesor Ramiz Abdyli është larguar fizikisht, por trashëgimia që ai lë pas – veprat e tij shkencore, studentët që ai mësoi dhe shembulli i tij njerëzor – do të jetojnë gjatë. Ne do ta kujtojmë gjithmonë modestinë, buzëqeshjen, mençurinë dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar.”
Në emër të familjes Abdyli, foli i biri i tij, Kastriot Abdyli. Ai e falënderoi Universitetin e Tetovës për këtë organizim që tregon se ai ka lënë prapa miq, kolegë, të cilët nuk e harrojnë. Po ashtu shtoi se si familje ndihen krenarë për prindin, bashkëshortin, gjyshin, babanë dhe kryefamiljarin e tyre.
Veprimtaria dhe përkushtimi i Prof. Dr. Ramiz Abdylit, do të mbeten udhërrëfyes i qartë se si një intelektual angazhohet me dinjitet e përgjegjësi për realizimin e objektivave madhore kombëtare.







