Fakulteti i Bujqësisë dhe i Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Tokës, një ngjarje me rëndësi globale që synon rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Toka, si burim themelor natyror dhe faktor kyç i prodhimit bujqësor, përbën bazën e zhvillimit dhe të sigurisë ushqimore.
Në kuadër të kësaj dite, u realizua një vizitë studimore në Republikën e Kosovës, ku studentët patën mundësinë t’i vizitojnë disa kompani dhe ferma bujqësore të profilizuara në prodhim dhe kultivim modern.
Gjatë kësaj përvoje profesionale, studentët u njohën me mënyrat bashkëkohore të organizimit dhe menaxhimit të ndërmarrjeve bujqësore, si dhe me aplikimin e teknologjive të avancuara në kultivimin e boronicës dhe kulturave të ndryshme perimore. Ata gjithashtu patën mundësinë të shkëmbejnë mendime, ide dhe përvoja me profesionistë të fushës, duke fituar njohuri të vlefshme praktike.
Mbresëlënës ishte fakti se në këto ndërmarrje dhe ferma, bartës të aktiviteteve ishin agronomë të rinj me përgatitje të lartë profesionale dhe përkushtim të theksuar ndaj punës, gjë që dëshmon për një gjeneratë të re të aftë për të udhëhequr zhvillimin e sektorit bujqësor. Kjo përvojë përforcon bindjen se bujqësia po orientohet gjithnjë e më shumë drejt formave moderne të prodhimit, duke rritur produktivitetin dhe duke siguruar produkte ushqimore cilësore, të sigurta dhe të mjaftueshme për tregun.










