//Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turneun tradicional në futboll të vogël për nder të 24-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës

Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turneun tradicional në futboll të vogël për nder të 24-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës

2018-12-14T03:13:32+00:00 Dhjetor 13, 2018|
Në kuadër aktiviteteve për shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, Fakulteti i Kulturës Fizike, organizoi turneun tradicional në futboll të vogël. Në këtë turne, me ekipet e tyre, garuan studentët nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit tonë.
Ndeshja për vendin e tretë u zhvillua në mes të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, ndërsa finalja u zhvillua mes ekipeve të studentëve të Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit të Kulturës Fizike. Fitues i këtij turneu u shpall Fakulteti i Kulturës Fizike.
Pas përfundimit të ndeshjes finale u ndanë edhe çmimet për tri vendet e para. Vendin e tretë e mori ekipi i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, ndërsa kupën ua ndau Kryetari i Parlamentit Studentor, Islam Imeri. Ekipit të Fakultetit Filologjik, si fitues i vendit të dytë, kupën ia ndau dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili, kurse fituesve të turneut kupën ua ndau dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani. Kupën kryesore të turneut, kupën kalimtare (e cila qëndron një vit në vitrinat e fakultetit fitues, për t’u transferuar vitin e ardhshëm në hapësirat e fakultetit tjetër), e ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Deri më tani, fitues të këtij turneu, që nga viti i parë i organizmit, kanë qenë ekipi i Fakultetit Ekonomik në vitin akademik 2014/15, ekipi i Fakultetit të Kulturës Fizike 2015/16, ekipi i Fakultetit të Administrimit të Biznesit 2016/17, ekipi i Fakultetit Juridik 2017/18 dhe së fundi ekipi i Fakultetit të Kulturës Fizike 2018/19.
Zyra për Informim