Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, më 13 maj 2026 realizuan vizitë studimore në qumështoren “Vita” dhe në repartet e prodhimit të lëngjeve në Istog të  Republikës së Kosovës.

Vizita u organizua në kuadër të aktiviteteve praktike të fakultetit, duke u ofruar studentëve mundësinë të njihen me funksionimin e proceseve teknologjike në industrinë e përpunimit të qumështit.

Gjatë qëndrimit në këtë kompani, studentët dhe stafi akademik i përcollën të gjitha fazat e procesit të prodhimit, nga pranimi i lëndës së parë, përpunimi teknologjik dhe trajtimi termik, deri te paketimi dhe distribuimi i produkteve finale. Vëmendje e veçantë iu kushtua proceseve të pasterizimit, homogjenizimit, fermentimit dhe analizave laboratorike për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

Studentët patën mundësi të ndjekin edhe funksionimin e linjave moderne të prodhimit, përdorimin e sistemeve automatike për kontroll dhe monitorim, si dhe standardet që aplikohen për garantimin e cilësisë në industrinë ushqimore moderne.

Vizita u zhvillua nën udhëheqjen e stafit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, të cilët i orientuan studentët në aspektin profesional dhe kontribuuan në thellimin e njohurive të tyre mbi aplikimin praktik të përmbajtjeve mësimore në sektorin industrial.

Përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Devolli Corporation prezantuan para studentëve organizimin e proceseve prodhuese, standardet teknologjike dhe rëndësinë e inovacionit në zhvillimin e industrisë ushqimore, duke theksuar gjithashtu nevojën për kuadro profesionale të përgatitura sipas kërkesave të tregut.

Kjo vizitë studimore dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe sektorit industrial, si një mundësi konkrete për përgatitjen profesionale të studentëve.