Në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë, më 8 maj 2026, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës.
Ky memorandum ka për qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, aktiviteteve inovative dhe projekteve ndërkombëtare. Bashkëpunimi do të përfshijë realizimin e kërkimeve të përbashkëta shkencore, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve metodologjike, zhvillimin profesional të stafit akademik, si dhe bashkëpunimin në botime dhe projekte ndërkombëtare.
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës u përfaqësua nga dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për arsim Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili, prodekania për shkencë Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi dhe sekretarja e Fakultetit, Mr. Sc. Mirvete Shabani.
Ndërkaq, Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës u përfaqësua nga dekani Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi, prodekania për çështje mësimore – Baçelor Prof. Ass. Dr. Rozafa Ferizi Shala, prodekania për çështje mësimore – Master Prof. Asoc. Dr. Kyvete Shatri, prodekania për shkencë dhe zhvillim Prof. Ass. Dr. Blerta Perolli Shehu, si dhe sekretari i Fakultetit, Milaim Mazreku.
Me këtë rast, në emër të Universitetit të Tetovës, dekanit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi, iu dhurua Monografia e Universitetit të Tetovës, e nënshkruar me dedikim nga Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ky gjest simbolik u bë në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti i Edukimit i kanë dhënë Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit Pedagogjik ndër vite, veçanërisht gjatë periudhës së themelimit dhe pas zyrtarizimit të universitetit.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës vizitoi ambientet e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë, ku u njoh me laboratorët dhe kabinetet e fakultetit. Gjatë takimit u zhvilluan diskutime konstruktive dhe u shkëmbyen ide për zgjerimin e bashkëpunimit përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike, shkencore dhe profesionale.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet institucioneve, duke vlerësuar se ky memorandum do të kontribuojë në avancimin e cilësisë në arsim, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar.










