Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës e zgjeron bashkëpunimin e tij ndërkombëtar përmes partneritetit me Kolegjin e Edukimit të Universitetit të Ilinoisit Verior (Northern Illinois University – NIU) në DeKalb, Illinois, SHBA. Në kuadër të këtij partneriteti, një delegacion i Fakultetit Pedagogjik, i përbërë nga dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për shkencë Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, shefja e programit studimor Mësim Klasor Prof. Dr. Arbresha Zenki-Dalipi, Prof. Dr. Makfirete Ameti dhe Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi nga programi studimor Psikologji, zhvilluan një vizitë në Universitetin e Ilinoisit Verior nga 3–13 shtator 2026.
Vizita shërbeu për thellimin e bashkëpunimit akademik, shkencor dhe profesional ndërmjet dy institucioneve, si dhe për konkretizimin e hapave të rinj në kuadër të partneritetit të tyre. Gjatë takimeve u diskutuan mundësi të reja për kërkime të përbashkëta, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si dhe përgatitjen e projekteve dhe aplikimeve të përbashkëta për grante ndërkombëtare.
Një ndër shtyllat kryesore të programit ishte të nxënit socio-emocional (Social and Emotional Learning – SEL), me fokus në mënyrat se si këto qasje mund të integrohen në procesin edukativo-arsimor. Në këtë kuadër u zhvilluan trajnime dhe punëtori profesionale, përfshirë trajnimin e udhëhequr nga Dr. Paul Wright, gjatë të cilit u trajtuan tema që lidhen me socializimin e të rriturve, ndërtimin e shkollave të orientuara drejt marrëdhënieve, kornizat për zbatimin e SEL-it dhe qasjet praktike në punën me nxënësit.
Përvoja e fituar përmes këtyre aktiviteteve u pasurua edhe me vizita në institucionet arsimore Gwendolyn Brooks Elementary dhe Mitchell School. Delegacioni i Fakultetit Pedagogjik pati mundësi të vëzhgonte nga afër praktikat pedagogjike dhe mënyrat e zbatimit të qasjeve socio-emocionale në shkollat fillore amerikane, duke krijuar hapësirë për shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave me profesionistë të arsimit.
Bashkëpunimi shkencor ishte një tjetër komponent i rëndësishëm i vizitës. Gjatë takimeve u prezantuan dhe u diskutuan rezultatet e dy hulumtimeve të përbashkëta të realizuara nga profesorë të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës dhe Kolegjit të Edukimit të Northern Illinois University.
Hulumtimi i parë trajton të nxënit socio-emocional në mësimin klasor dhe është realizuar në disa shkolla fillore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë institucione me mësim në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Hulumtimi i dytë është përqendruar në arsimin e ndjeshëm ndaj traumës (Trauma-Informed Education) në shkollat e mesme të vendit. Të dy studimet ndodhen në fazën përfundimtare dhe pritet të publikohen në periudhën e ardhshme.
Në kuadër të agjendës së përbashkët u zhvillua edhe International Partnership Design Studio, i cili krijoi mundësi për të shqyrtuar mënyra të reja të bashkëpunimit dhe të përshtatjes së praktikave arsimore ndërmjet dy vendeve. Diskutimet u përqendruan në shkëmbimin e studentëve, mësimdhënien përtej kufijve, bashkëpunimin ndërkulturor dhe krijimin e mekanizmave që mundësojnë përfshirje më të madhe të komunitetit në zhvillimin e arsimit.
Një hap konkret në këtë drejtim është edhe krijimi i një bordi këshillues, në të cilin do të përfshihen gjashtë mësimdhënës të mësimit klasor nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të këtij programi do të zhvillohen trajnime virtuale, përmes të cilave mësimdhënësit do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja me partnerët akademikë të NIU-së, të reflektojnë mbi zbatimin e praktikave të të nxënit socio-emocional në kontekstin vendor dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve të përbashkëta.
Gjatë takimeve u trajtua edhe dimensioni i qëndrueshmërisë së partneritetit, veçanërisht përmes identifikimit të burimeve të financimit dhe përgatitjes së projekteve të përbashkëta ndërkombëtare. Në përfundim të vizitës, të dy institucionet shprehën gatishmërinë për ta orientuar bashkëpunimin drejt rezultateve konkrete në arsim, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional. Partneriteti për periudhën 2026–2031 synon të krijojë një bazë edhe më të konsoliduar për projekte, shkëmbim akademik dhe zhvillim të praktikave inovative në lëmin e edukimit.














