Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në edukim, Fakulteti Pedagogjik i UT-së, mori pjesë si bashkorganizator në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore dhe Praktike “Promising Directions of Modern Science and Education”, që u mbajt më 20–21 maj 2026 dhe organizuar nga Donbas State Pedagogical University në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Në sesionin plenar të konferencës, Fakulteti Pedagogjik u përfaqësua me prezantim nga Prof. Dr. Teuta Ramadani – Rasimi dhe dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi me temën: “Enhancing inclusive practices through ABA training: experiences of helping professionals in higher education and practice”.

Prezantimi shkencor trajtoi rezultatet dhe ndikimin e projektit ndërkombëtar të mbështetur nga Visegrad Fund, i cili synon avancimin e praktikave inkluzive përmes trajnimeve në Applied Behavior Analysis (ABA), zhvillimin e kapaciteteve profesionale të stafit akademik dhe profesionistëve të praktikës, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet universiteteve dhe institucioneve që veprojnë në fushën e edukimit dhe rehabilitimit special.

Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e qasjeve të bazuara në evidencë shkencore në përmirësimin e praktikave edukative dhe rehabilituese, veçanërisht në mbështetjen e fëmijëve dhe studentëve me nevoja të veçanta arsimore. U prezantuan përvojat konkrete të pjesëmarrësve në trajnim, të cilët përfaqësonin staf pedagogjik universitar, mësimdhënës, edukatorë dhe profesionistë të praktikës, duke reflektuar mbi ndryshimet e perceptuara në qasjet ndaj menaxhimit të sjelljes, komunikimit profesional, përfshirjes dhe mbështetjes individuale.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua qëndrueshmërisë së projektit dhe ndikimit të tij afatgjatë në zhvillimin profesional të pjesëmarrësve. U theksua se trajnimet në ABA kanë kontribuuar në ngritjen e kompetencave profesionale dhe në krijimin e një qasjeje më sistematike dhe funksionale ndaj praktikave inkluzive në arsim dhe rehabilitim special.

Po ashtu, u bë e ditur se disa metoda të menaxhimit të sjelljes dhe strategji të ABA-së, të mbështetura në evidencë shkencore, tashmë janë integruar në përmbajtjet mësimore të disa lëndëve në programet studimore të nivelit master në Fakultetin Pedagogjik. Ky integrim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të programeve studimore dhe përgatitjes së kuadrove profesionale të afta për t’iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të arsimit inkluziv.

Pjesëmarrja aktive e Fakultetit Pedagogjik në këtë konferencë ndërkombëtare përfaqëson një dëshmi të përkushtimit institucional ndaj promovimit të arsimit cilësor dhe inkluziv, zhvillimit të kërkimit shkencor, fuqizimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe shkëmbimit të praktikave të mira në fushën e edukimit dhe rehabilitimit special.