Studentët dhe profesorët e Fakulteti Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me shkollat fillore të Komunës së Tetovës realizuan disa aktivitete të lira pedagogjike. Kjo ngjarje u realizua me nxënësit e klasave të katërta të shkollave fillore “Migjeni”, “Kirili dhe Metodi” dhe “Përparimi”, ku u zhvilluan disa lojëra me karakter garues në kuadër të lëndëve mësimore Matematikë, Gjuhë shqipe, Edukatë fizike dhe Art muzikor.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fatbi Osmani, në fjalën e tij vuri në pah rëndësinë që kanë aktivitetet e lira pedagogjike, ngase përmes këtyre takimeve jepen mesazhe se si duhet të punohet gjatë kohës së lirë me nxënësit. Ai, më tej shtoi se ky organizim është një praktikë e mirë pedagogjike që duhet të ndiqet edhe më tepër në të ardhmen, me qëllim edukimin sa më të mirë të fëmijëve, por edhe mbrojtjen e tyre nga rreziqet teknologjike të cilat në të shumtën e rasteve i kanë prekur një pjesë dërmuese të fëmijëve nëpër botë, por edhe në vendin tonë.
Ndërsa profesoresha, Doc. Dr. Besa Havziu tha se aktivitetet e lira të fëmijëve, gjegjësisht nxënësve, paraqesin një problem, i cili ka tërhequr vëmendjen e shumë shkencëtarëve dhe filozofëve në gjithë botën, por, siç u shpreh ajo, me vullnet, punë, përkushtim, si dhe me mjete të tjera, qofshin ato edhe në materialet e ricikluara mund të shënohet progres dhe t’i jepet shpresë shoqërisë, që fëmijët mund t’i edukojmë dhe t’i mbrojmë nga çdo rrezik, ngase fundja fëmijët janë e ardhmja e jonë dhe e shoqërisë në përgjithësi.
Për nxënësit pjesëmarrës në lojërat me karakter garues u ndanë dhurata simbolike në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen e tyre. Simbolika e këtij aktiviteti ishte edhe shënimi i Ditës ndërkombëtare të fëmijëve – 1 Qershorit, si dhe dhënia e mesazhit për kujdes sa më të madh ndaj fëmijëve kudo në botë.

Zyra për Informim