“Le të mësojmë duke mësuar si të luajmë – Mësimi përmes lojës” ishte tema e punëtorisë së organizuar nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës. Kjo punëtori kishte për qëllim njohjen e maturantëve për së afërmi me programet studimore që i ofron ky fakultet si dhe informimin mbi përvojat e mësuesit dhe mësuesisë.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik Lulzim Mehmeti në fillimin e këtij aktiviteti falënderoi maturantët për interesimin që kanë shfaqur për t’u njohur me 5 programet studimore që ofron Fakulteti Pedagogjik dhe sot përmes kësaj punëtorie të titulluar “Mësimi përmes lojës” tha se edhe më shumë do kenë mundësi për t’u njohur në detaje me veprimtarinë e tërësishme të Fakultetit tonë, me shpresë se vitin akademik 2024/2025 do të bëhen studentë të fakultetit tonë.
Trajnuesit e kësaj punëtorie ishin docenti i shkencave sociale – pedagogjike dhe edukative – arsimore Doc. Dr. Mahir Mustafa i cili jeton dhe vepron në Zvicër si dhe Erika Masina Beuggert nga Zvicra e cila në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut njihet si Ambasadore e profesionit të mësuesisë për ciklin parashkollor.
Në këtë punëtori ndër të tjera u tha se është e vërtetuar nga studimet së mësimi përmes lojës është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës sidomos në shtatë vitet e para të jetës së tyre. Ndërsa institucionet parashkollore dhe parafillore janë vendet ku ato e bëjnë zhvillimin shqisor, atë gjuhësor dhe motorik, mësojnë të shkruajnë të lexojnë, të numërojnë, të socializohen dhe të ndajnë emocionet.
Maturantët përmes lojës me dy profesorët u njoftuan se sa e rëndësishme është loja për zhvillimin e një fëmije, si promovohet loja në edukimin e hershëm të fëmijëve, pse materiali i riciklueshëm dhe i ripërdorshëm është i rëndësishëm në arsimin parashkollor dhe çfarë mësojnë fëmijët prej tij, pse konsiderohet arti – teatri një komponent i rëndësishëm në edukimin e hershëm të fëmijëve e të tjera.