Klubi i volejbollit për femra i Universitetit të Tetovës ka shënuar rezultate tepër të mira në kupën republikane të volejbollit për femra. Ekipi KV “Universiteti i Tetovës” falë lojës së bukur që ka treguar arriti deri në finale të kupës së Maqedonisë, në të cilën, si pasojë e lëndimeve të disa volejbollisteve kryesore, pësoi humbje nga KV – Kumanova me rezultat 3 – 1 në sete.

Menaxherja e klubit të volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës”, Laureta Abazi, tha se në të gjitha ndeshjet skuadra e saj ka qenë në formë shumë të mirë, por siç u shpreh ajo në këtë finale KV – Universiteti i Tetovës ka pasur disa mungesa, sepse njëra nga volejbollistet më të mira, Rona Jonuzi, nuk ka mundur të luajë për shkak të lëndimit që ka marrë në gjysmëfinale. “KV UT në garën për kupën e Maqedonisë në 1/4 e finales e eliminoi ekipin e Viktori Volej nga Strumica, në 1/2 e finales e eliminoi ekipin Nakovski Volej nga Strumica dhe u plasua në finalen e madhe me plot meritë. Por, fati nuk deshi që kjo skuadër ta rrëmbejë edhe kupën, pasi në gjysmëfinalen e playoffit u lëndua pasuesja, lëndimi i së cilës ishte një hendikap i madh për ne. Koha e shkurtër dhe kampionati i ngarkuar nuk na ofroi mundësi për rikuperim dhe organizim më të mirë. Këto vajza e shënuan historinë e klubit, sepse për së pari herë ishim pjesë e një finaleje. Ato dhanë maksimumin e tyre. Edhe pse dominuam në ligë gjatë gjithë kampionatit, duke qenë lidere në renditjen tabelare, në fund nuk patëm fat. Sporti di t’i bëjë këto surpriza, andaj këto vajza mbeten krenaria e UT-së. I falënderoj të gjithë ata që na përkrahën dhe mbështetën për arritjen e këtij rezultati” – tha menaxherja Laureta Abazi.

Klubi i volejbollit “Universiteti i Tetovës” merr pjesë për të dytin vit me radhë në ligën e parë të volejbollit për femra si dhe në kupën republikane të Maqedonisë. Në sezonin 2017 / 2018 ato u shpallën kampione vjeshtore dhe arritën deri në finale të kupës së Maqedonisë. Ky klub në Federatën e Volejbollit të Maqedonisë ka shënuar sukses historik pas këtyre arritjeve në një periudhë të shkurtër kohore. Nga ky klub thonë se vitin tjetër do të angazhohen që të jenë kandidate serioze për të triumfuar në volejbollin vendor për femra.