//Klubi i volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” shënoi fitore në terren mysafir ndaj KV “Uskana”

Klubi i volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” shënoi fitore në terren mysafir ndaj KV “Uskana”

2018-12-05T12:46:28+00:00 Dhjetor 04, 2018|
Klubi i volejbollit për femra i Universitetit të Tetovës në kuadër të xhiros së tetë (30. 11. 2018), të kampionatit të volejbollit për femra në ligën e parë të Maqedonisë, luajti si mysafir kundër klubit të volejbollit “Uskana” nga Kërçova.
Ndeshja përfundoi në favor të studenteve të Universitetit të Tetovës, të cilat shënuar fitore me rezultat të përgjithshëm 1: 3 në sete. Me këtë fitore KV “Universiteti i Tetovës” arrin kuotën e 10 pikëve dhe plasohet në vendin e gjashtë në renditjen tabelare.
Menaxherja e klubit, Doc. Dr. Laureta Abazi, tha se edhe përkundër vështirësive me të cilat u ballafaquan në fillim të kampionatit si pasojë e mungesës së lojtareve, ekipi dalëngadalë po rikthehet në formë dhe se shpresojnë që të shënojnë fitore në tri ndeshjet e ardhshme, dy prej të cilave do t’i zhvillojnë në terren vendas dhe vetëm një në terren mysafir. “Shpresojmë që të shënojmë fitore dhe po e realizuam planin atëherë mendoj se ngelim të katërtat në kampionatin vjeshtor. Është i patjetërsueshëm përforcimi i skuadrës pasi në mesin tonë mungojnë lojtare më me përvojë, të cilat do të na ndihmojnë që në sezonin pranveror të përsëritim rezultatin e vitit të kaluar. Ndeshja në Kërçovë ishte derbi mes dy ekipeve të vetme shqiptare në ligë. Edhe pse ne udhëtonim si favorit nuk e patëm të lehtë këtë ndeshje. Ne e startuam ndeshjen mjaft mirë, prandaj gjithçka funksionoi ashtu si duhet, duke shënuar fitore” – tha menaxherja Doc. Dr. Laureta Abazi.
Ndeshjen e ardhshme të xhiros së nëntë të kampionatit vendor të volejbollit për femra, KV “Universiteti i Tetovës” do ta luajë në terren vendas, të shtunën, më 8 dhjetor 2018, kundër KV “Viktori Volej – Strumicë”.

Zyra për Informim