Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kenan Ferati, së bashku me Prof. Dr. Arbëresha Bexheti-Ferati, mori pjesë në Kongresin e 8-të Ndërkombëtar “Technological Innovations and Experimental Protocols in Periodontology, Oral Surgery and Orthodontics”, i cili u zhvillua në Universitetin “Aldo Moro” në Bari të Italisë, prej 3–5 shtator 2026.

Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë studiues, hulumtues dhe profesionistë nga universitete e institucione prestigjioze ndërkombëtare,  të cilët prezantuan rezultate të reja shkencore, shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Universitetit të Tetovës në këtë Kongres Ndërkombëtar përbën një tjetër dëshmi të angazhimit të institucionit për ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe shkencore, si dhe për forcimin e lidhjeve me universitete dhe qendra kërkimore prestigjioze.

Në ceremoninë solemne të hapjes së Kongresit, Prof. Dr. Kenan Ferati mbajti fjalë përshëndetëse, në të cilën theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe shkëmbimit të përvojave dhe arritjeve shkencore.

Ai vuri në pah se bashkëpunimet ndërmjet institucioneve akademike krijojnë ura të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm të shkencës dhe profesionit, ndërsa shkëmbimi i përvojave u mundëson gjeneratave të reja të jenë pjesë aktive e zhvillimeve, metodologjive dhe inovacioneve bashkëkohore.

Në këtë kuadër, gjatë Kongresit u trajtuan tema të rëndësishme nga fusha e periodontologjisë, kirurgjisë orale, kirurgjisë maksilofaciale dhe ortodoncisë, me fokus në inovacionet teknologjike, protokollet eksperimentale bashkëkohore dhe përdorimin e faktorëve të rritjes, të cilat paraqesin perspektiva të reja për zhvillimin e metodave terapeutike. Në kuadër të programit shkencor, Prof. Dr. Kenan Ferati prezantoi punimin e tij shkencor me temë: “Menaxhimi i nofullave të atrofuara: augmentimi kockor kundrejt implanteve zygomatike dhe implanteve pterygoide.”

Punimi trajtoi çështje me rëndësi të veçantë klinike, duke analizuar qasjet bashkëkohore për menaxhimin e nofullave të atrofuara dhe duke krahasuar teknikat e augmentimit kockor me përdorimin e implanteve zygomatike dhe pterygoide. Prezantimi ngjalli interes te pjesëmarrësit dhe krijoi hapësirë për diskutime dhe shkëmbim të përvojave profesionale.

Një moment veçanërisht i rëndësishëm i pjesëmarrjes së Prof. Dr. Kenan Feratit në këtë aktivitet ishte edhe nderimi me çmim nga qyteti i Barit, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin e çmuar me Universitetin “Aldo Moro” të Barit.  Çmimi,  iu akordua Prof. Dr. Kenan Feratit nga kryetari i qytetit të Barit, Vito Leccese, si vlerësim për bashkëpunimin me Universitetin “Aldo Moro” të Barit. Ky vlerësim institucional përbën një dëshmi të rëndësishme të marrëdhënieve të ndërtuara ndërmjet institucioneve akademike dhe të kontributit në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit, shkencës dhe profesionit.

Për Universitetin e Tetovës, ky vlerësim përfaqëson një moment të rëndësishëm të prezencës së tij në hapësirat akademike ndërkombëtare dhe një nxitje për vazhdimin e bashkëpunimeve me institucione të njohura universitare dhe kërkimore.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Kenan Feratit, në cilësinë e Kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, në këtë Kongres, së bashku me vlerësimin e marrë nga qyteti i Barit, përbën një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e Universitetit të Tetovës në arenën ndërkombëtare akademike dhe shkencore.

Në përfundim të Kongresit, Prof. Dr. Kenan Ferati shprehu mirënjohjen për Prof. Dr. Francesco Inchingolo, president i Kongresit, për ftesën dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe profesionistëve të fushës në nivel ndërkombëtar.

Universiteti i Tetovës do të vazhdojë të mbështesë dhe të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar, kërkimin shkencor dhe shkëmbimin akademik, si pjesë e përkushtimit të tij për avancimin e dijes dhe afirmimin e kuadrove të tij në skenën ndërkombëtare.