Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës u mbajt ligjëratë tematike me titull: “Të folurit publik bindës; si mund të ndikoni për ndryshim?”. Ligjërata u zhvillua nga profesori James Lofton, specialist i programit Fulbright dhe ekspert i komunikimit publik dhe lidershipit.

Në hapje të aktivitetit, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, u uroi mirëseardhje profesorëve, studentëve dhe mysafirëve të pranishëm, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ligjërate për zhvillimin profesional të studentëve.

Ai theksoi se profesori James Lofton ndodhet për të katërtën herë në Universitetin e Tetovës, gjë që dëshmon për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet tij dhe institucionit tonë, si dhe përkushtimin e përbashkët ndaj avancimit të dijes dhe shkëmbimit akademik.

Duke folur për ligjëratën, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi potencoi se aftësia për të folur bindshëm në publik është një kompetencë e rëndësishme profesionale dhe një mjet i fuqishëm për të ndikuar pozitivisht në shoqëri, për të frymëzuar dhe për të sjellë ndryshime në komunitet.

Ligjërata u vlerësua si mundësi e shkëlqyer për studentët dhe pjesëmarrësit që të informohen mbi rolin e komunikimit në arsim dhe në jetën publike, si dhe për të forcuar aftësitë personale dhe profesionale në fushën e komunikimit publik dhe lidershipit.

Profesori James Lofton njihet për përvojën e tij të pasur në fushën e komunikimit publik, të folurit bindës dhe zhvillimit të lidershipit, duke kontribuuar në trajnime dhe ligjërata akademike në universitete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare. Përmes angazhimit të tij në kuadër të programit Fulbright, ai ka ndihmuar studentë dhe profesionistë të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese dhe të forcojnë ndikimin e tyre në jetën publike.