Në Universitetin e Tetovës, sot filloi procesi i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2018/2019. Prorektori për Arsim në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili tha se këtë vit UT në të gjitha 13 njësitë akademike do të pranojë mbi 3300 studentë të rinj. “Nga dita e sotme e deri ditën e premte në Universitetin e Tetovës do të organizohet afati i parë i regjistrimit të studentëve. Sipas konkursit të shpallur për regjistrimin e studentëve të rinj, për këtë vit akademik, parashihet që në 60 programet studimore, përkatësisht në 13 fakultete, të regjistrohen mbi 3300 studentë të rinj” – tha Prof. Dr. Reshat Qahili.Ai po ashtu shtoi se këtë vit është aplikuar edhe sistemi online për regjistrim. “Dua të theksoj se për herë të parë këtë vit e kemi aplikuar edhe sistemin online të regjistrimit dhe në bazë të evidencës që kemi ne si Universitet jemi mjaft të kënaqur me interesimin që kanë treguar deri më tani maturantët e kësaj gjenerate. Rezultatet preliminare të afatit të parë të regjistrimit do të shpallen ditën e hënë, pra javën që vjen, më 3 shtator 2018” u shpreh Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili.
Afati i parë i regjistrimit do të realizohet nga dita e sotme(27. 8.2018) deri më 31 gusht. Pas përmbylljes së afatit të parë, bazuar në konkursin e shpallur për regjistrim, Universiteti i Tetovës, për të gjitha vendet e paplotësuara nëpër programet studimore të 13 fakulteteve, do ta organizojë edhe afatin e dytë të regjistrimit, i cili është paraparë të realizohet nga 12 deri më 14 shtator.