Në Universitetin e Tetovës filluan punimet e Edicionit XX Jubilar të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, një ngjarje me rëndësi të veçantë shkencore dhe kulturore. Me temën qendrore “Zhvillimet gjuhësore, letrare, historike dhe kulturore shqiptare”, ky edicion jubilar mblodhi studiues, profesorë, akademikë dhe albanologë nga vendi, rajoni dhe arena ndërkombëtare. Me këtë veprimtari Universiteti i Tetovës jo vetëm e zhvillon një traditë të krijuar ndër vite, por riafirmon përgjegjësinë e tij për ta ruajtur dhe përcjellë më tej gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.

Seminarin e hapi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili në fjalën e tij u shpreh se sot shënojmë një jubile që mbart në vetvete kujtesën e një rrugëtimi akademik, përkushtimin e shumë brezave të studiuesve dhe përgjegjësinë tonë për vazhdimësinë e tij. “Njëzet edicione janë njëzet kapituj të një historie akademike; njëzet takime të dijes, të debatit shkencor dhe të bashkëpunimit; njëzet mundësi në të cilat studiues nga fusha dhe hapësira të ndryshme janë mbledhur për të hulumtuar, dokumentuar, interpretuar dhe promovuar gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Njëzet edicione të këtij seminari kanë kuptim sepse pas tyre qëndrojnë njerëz: studiues që kanë prezantuar kërkimet e tyre; profesorë që kanë debatuar dhe shkëmbyer ide; autorë që kanë botuar; institucione që kanë bashkëpunuar; studentë që kanë dëgjuar, mësuar dhe më pas janë bërë vetë pjesë e kërkimit shkencor. Prandaj, ky jubile është edhe një moment mirënjohjeje.” – tha fillimisht Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në vijim të fjalimit të tij Rektori u ndal edhe te fjalët e gjuhës shqipe. Sipas tij, në fjalët e një gjuhe ruhen gjurmët e historisë, mënyrat e jetesës, zhvillimet shoqërore, krijimtaria, dija dhe përvojat e brezave. “Çdo fjalë mbart një histori: disa kanë udhëtuar ndër shekuj, disa kanë ndryshuar kuptim, disa janë ruajtur në të folmet tona dhe të tjera lindin bashkë me zhvillimin e shoqërisë, shkencës dhe teknologjisë. Prandaj, dokumentimi dhe sistemimi i pasurisë leksikore të shqipes është punë për ruajtjen e kujtesës sonë kulturore dhe përgatitjen e gjuhës shqipe për të ardhmen. Dhe ka një simbolikë të veçantë që kjo vepër promovohet pikërisht në Edicionin XX Jubilar. Sepse, në themel të albanologjisë, qëndron fjala. Fjala që është folur. Fjala që është shkruar. Fjala që është ruajtur. Fjala që është studiuar. Dhe fjala që kemi përgjegjësinë t’ua përcjellim brezave të ardhshëm. Ky Seminar nuk organizohet vetëm për të nderuar atë që është bërë. Ai organizohet, mbi të gjitha, për atë që ende duhet të bëhet. Në duart tuaja do të jenë pyetjet e reja të gjuhësisë shqiptare, interpretimet e reja të letërsisë, dokumentet ende të pastudiuara, arkivat që presin të digjitalizohen dhe fenomenet kulturore që kërkojnë analiza të reja. Mos e shihni trashëgiminë vetëm si diçka që duhet admiruar. Sepse respekti më i madh ndaj trashëgimisë nuk është vetëm ta ruajmë atë. Është ta bëjmë atë burim të dijes së re. Të nderuara zonja dhe zotërinj, Në këto njëzet edicione, në këtë Seminar janë shqiptuar mijëra fjalë: për gjuhën, letërsinë, historinë, kulturën, kujtesën, identitetin, trashëgiminë dhe dijen. Dhe pikërisht sot, kur në këtë jubile nderojmë fjalën shqipe edhe përmes Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, do të dëshiroja që secili prej nesh t’i bëjë vetes një pyetje: Cila është fjala që për mua përfaqëson Albanologjinë? Për dikë mund të jetë gjuhë.

Për dikë kujtesë. Për dikë trashëgimi. Për dikë identitet, kulturë, atdhe apo dije. Por cilado qoftë ajo fjalë, të gjitha bashkohen në një përgjegjësi të përbashkët: atë që kemi trashëguar ta studiojmë me rigorozitet, ta ruajmë me përgjegjësi dhe ta zhvillojmë me vizion.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në cilësinë e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës në RMV, auditorit iu drejtuar edhe z. Driton Sulejmani. Ai u shpreh se njëzet edicione të këtij seminari janë një dëshmi e vazhdimësisë së kërkimit shkencor, e përkushtimit akademik dhe e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve që merren me gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare. “Albanologjia është një fushë që kërkon punë të vazhdueshme, hulumtim të thellë dhe bashkëpunim ndërdisiplinor. Gjuha dhe kultura nuk janë vetëm pjesë e trashëgimisë sonë, por janë edhe fusha të gjalla të studimit shkencor, të cilat vazhdimisht pasurohen me kërkime, qasje dhe rezultate të reja. Në këtë drejtim, Universiteti i Tetovës ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të veprimtarisë shkencore në vend, ndërsa Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë është një prej platformave ku kjo veprimtari merr dimension më të gjerë, duke bashkuar studiues nga institucione dhe vende të ndryshme. Në këtë jubile, dua të shpreh respektin tim për të gjithë profesorët, studiuesit, organizatorët dhe bashkëpunëtorët që gjatë këtyre dy dekadave kanë kontribuuar që ky seminar të vazhdojë të jetë një hapësirë e dialogut akademik dhe e shkëmbimit të dijes. Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, do të vazhdojmë të mbështesim shkencën, kërkimin, bashkëpunimin akademik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja shkencore, sepse një sistem i avancuar arsimor nuk mund të ndërtohet pa një bazë të fortë kërkimore-shkencore. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e këtij seminari: dija ruhet duke u studiuar, por zhvillohet duke u hulumtuar dhe duke u transmetuar te brezat e rinj.” – tha Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në RMV, z. Driton Sulejmani.

Akademiku Skënder Gjinushi – Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë theksoi se pa ngritjen e nivelit të kërkimit shkencore nuk mund të kemi arsim të lartë të nivelit të kohës. Në këtë aspekt Akademia e Shkencave përpiqet të luajë rolin e koordinuesit, nxitësit të kërkimit shkencor në të gjitha fushat. “Ne duhet të punojmë së bashku, tërë këtë sistemin e kërkimit shkencor duhet ta konceptojmë së bashku, pasi jemi të pakët për të punuar në mënyrë të copëzuar. Universiteti i Tetovës është qendra kryesore e formimit, e mbrojtjes e formulimit të identitetit dhe gjuhës të popullit shqiptar. Është për t’u përshëndetur ky Seminar që tregon qartë që Universiteti i Tetovës e ka forcuar këtë mision të vetin për të qenë qendra kryesore e zhvillimit të shkencave albanologjike. E falënderoj Universitetin e Tetovës për mbështetjen në përpilimin e Fjalorit, sepse ky fjalor tregon pasurinë e gjuhës shqipe, pasi gjuha shqipe është e një populli të vogël, por është gjuhë e madhe.” – tha ndër të tjera Akademik Skënder Gjinushi – Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Drejtori i Seminarit XX Ndërkombëtar të Albanologjisë Prof. Dr. Berton Sulejmani në fjalën e tij tha se interesimi për edicionin jubilar ka qenë i jashtëzakonshëm. Në program janë pranuar 143 kumtesa shkencore, me pjesëmarrjen e 163 autorëve dhe bashkautorëve, të organizuara në pesë sesione: gjuhësi, letërsi, histori, etnokulturë, si dhe gazetari dhe media. “Në programin e këtij viti kemi dashur të ndërthurim të tashmen e kërkimit shkencor me disa përvjetorë që na kthejnë te figura, vepra dhe institucione me rëndësi për kulturën shqiptare. Kështu, vëmendje e posaçme i kushtohet brezit krijues dhe shkencor të lindur në vitin 1936, në 90-vjetorin e lindjes së tij – brez që përfshin personalitete të letërsisë, kritikës letrare, gjuhësisë, historisë, muzikës, teatrit e kinematografisë shqiptare. Po kështu, në 125-vjetorin e vdekjes së Zef Serembes, Seminari i rikthehet veprës dhe trashëgimisë së njërit prej zërave të rëndësishëm të letërsisë arbëreshe. Karakterin përkujtimor të këtij edicioni e plotëson edhe 110-vjetori i Komisisë Letrare të Shkodrës, një nga etapat e rëndësishme në historinë e përpjekjeve për njësimin dhe normëzimin e shqipes.Një domethënie të veçantë këtij edicioni ia jep edhe prania e Francesco Perri-t, si dëshmi e lidhjeve të hershme dhe të pandërprera të botës arbëreshe me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Prania arbëreshe në Seminar na kujton se hapësira e albanologjisë nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë gjeografikë. Ajo është formuar dhe pasuruar edhe atje ku shqipja, kujtesa dhe kultura shqiptare janë ruajtur ndër shekuj larg trungut të tyre të drejtpërdrejtë.” – tha drejtori i Seminarit XX Ndërkombëtar të Albanologjisë Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Më tej ai u ndal edhe te revistat shkencore. Sipas tij, një jubile shkencor, mbase, nuk matet vetëm me numrin e veprimtarive të zhvilluara. Ai matet edhe me atë që mbetet prej tyre. Në këtë kuptim, një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë njëzetvjeçare të Seminarit janë botimet dhe revistat tona shkencore.  “Materialet e gjashtë edicioneve të para të Seminarit, nga viti 2007 deri më 2012, janë botuar në vëllime të veçanta, ndërsa nga edicioni i shtatë e në vazhdim kumtesat janë botuar dhe vazhdojnë të botohen në revistën ndërkombëtare “Albanologjia”. Në këtë mënyrë, puna shkencore e zhvilluar në Seminar nuk ka mbetur vetëm brenda ditëve të veprimtarisë, por është ruajtur, botuar dhe është bërë pjesë e fondit të studimeve albanologjike. Këtij edicioni jubilar i bashkohet edhe Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor. Falënderojmë akademitë, universitetet, institutet, arkivat, qendrat kërkimore dhe shtëpitë botuese që i janë përgjigjur ftesës sonë dhe që, me praninë dhe botimet e tyre, e pasurojnë këtë jubile.” – u shpreh mes tjerash drejtori i Seminarit XX Ndërkombëtar të Albanologjisë Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Kryefjala e këtij Seminari jubilar ishte promovimi i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, një vepër kapitale e leksikografisë shqiptare që është një arritje madhore shkencore për ruajtjen, pasurimin dhe standardizimin e mëtejmë të gjuhës sonë. Ky fjalor është më tepër sesa një përmbledhje fjalësh. Është kujtesë e gjuhës, dëshmi e zhvillimit të saj dhe një pasuri që lidh brezat përmes fjalës. Për brendësinë e fjalorit folën Akad. Valter Memisha me temën: “Parime dhe metoda të hartimit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”, Prof. Dr. Shezai Rrokaj me temën: “Funksioni informues dhe normativ i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” dhe Prof. Dr. Anila Kananaj foli për dimensionin bashkëkohor dhe digjital të fjalorit me temën: “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe në sistemin online”.

Më pas, Prof. Dr. Francesk Perri – ish-Kryetar i Bashkisë së Vakaricit – arbëresh nga Kalabria, e paraqiti temën: “Arbëria e Italisë: Ruajtja arkivore, dinamikat demografike dhe sfida e oralitetit – një model për mbrojtjen e identitetit”.

Me këtë edicion jubilar, i cili shënon dy dekada përkushtim ndaj dijes dhe kërkimit shkencor, Universiteti i Tetovës rikonfirmoi rolin e tij si një nga qendrat kryesore akademike për zhvillimin dhe promovimin e studimeve albanologjike. Programi i Seminarit do të vazhdojë me sesionet dhe veprimtaritë shkencore edhe gjatë ditës së nesërme, sipas agjendës së paraparë.

Ceremonia solemne e këtij seminari u përmbyll me disa pika të zgjedhura artistike të interpretuara nga artistët dhe profesorët e shquar, Prof. Dr. Kastriot Tusha dhe Prof. Dr. Bajramali Idrizi, të cilët dhuruan emocione të veçanta për të pranishmit.