Në Universitetin e Tetovës u mbajt Konferenca e Tretë Ndërkombëtare e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor me temë “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor pas agresionit Rus në Ukrainë – Çka më pas?” dhe u laureuan me Çmimin për Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza” humanistja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Presidentja e Komitetit të Helsinkit në Beograd znj. Sonja Biserko dhe profesor Daniel Serwer nga Johns Hopkins University
Universiteti i Tetovës më datë 24.06.2024 pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci laureoi me Çmimin për Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza”, humanisten znj. Sonja Biserko dhe profesorin Daniel Serwer, të cilët ishin edhe folësit kryesorë në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor.
Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili tha se: “Universiteti i Tetovës gjithmonë ka luajtur rol vendimtar dhe ka qenë faktor stabiliteti në Maqedoninë e Veriut, andaj, për nder të vitit jubilar të 30-vjetorit të themelimit, kjo Konferencë përveç se ishte imperativ kohor po aq ishte edhe imperativ moral, ngase ne jemi ata që duhet të tregojmë rrugën drejt paqes dhe vlerave qytetëruese.”
Në këtë ngjarje ku të pranishëm ishin personalitete të shumta nga jeta akademike, diplomatike, intelektuale, fetare dhe shoqërore, Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Ekselenca e Saj, znj. Laryssa Dir para të pranishmëve e përshëndeti iniciativën e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes kolektive të Ukrainës. Mes tjerash ajo tha: “Është një nder dhe privilegj për mua, që të jem pjesë e kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës. Kjo ngjarje është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për avancimin e paqes dhe ndërsa mblidhemi sot për të diskutuar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor pas agresionit rus në Ukrainë, është e rëndësishme ta kujtojmë rolin thelbësor që kanë institucionet për të promovuar paqen dhe stabilitetin. Kjo është ajo që bëni ju! Si ambasadore e Ukrainës, unë kam parë nga afër se sa e brishtë mund të jetë paqja dhe sa e rëndësishme është mbështetja ndërkombëtare në ruajtjen e saj. Ukraina ka përjetuar sfida të mëdha vitet e fundit dhe në këtë periudhë të vështirë, mbështetja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë e një rëndësie jetike. Konferenca si këto, janë platforma të shkëlqyera për të ndarë ide dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet vendeve dhe kulturave të ndryshme. Në këtë kontekst, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni përpjekjet për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajonin tuaj, por kudo në botë. Çdo kontribut, sado i vogël, ka rëndësinë e vet në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë ne. Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mbështetjen që Ukraina ka marrë deri më tani.” – tha Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut znj. Laryssa Dir.
Themeluesi i Qendrës per Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti para të pranishmëve elaboroi në detaje procedurën e ndarjes së Çmimit për Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza”, çmim i cili ka qenë kahera në vegimet e tij, siç shprehet vetë ai. Duke paraqitur trajektoren historike të Qendrës për Paqe, nga themelimi e deri më sot dhe motivacionin e këtij çmimi ai theksoi se Qendra për Paqe ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe zbutjen e marrëdhënieve ndëretnike.
“Është një privilegj i veçantë për mua që të qëndroj sot para jush si Kryetar i Senatit dhe themelues i Qendrës për Paqe. Kjo Konferencë ka mbledhur mendjet më brilante për të diskutuar çështjet e sigurisë në vend dhe në rajon. Paqja nuk është mungesa e luftës por është prania e drejtësisë, sigurisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë njerëzit. Si themelues i Qendrës për Paqe, kam parë se si bashkëpunimi ndërkombëtar dhe angazhimi qytetar mund të bëjnë ndryshimin. Qendra jonë ka punuar pa pushim për të promovuar dialogun, për të edukuar brezat e rinj dhe për të ndërtuar ura midis komuniteteve të ndryshme. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një angazhim të përbashkët sepse sfidat globale si luftërat, ndryshimet klimatike dhe migracioni, kërkojnë zgjidhje të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Le ta përdorim këtë Konferencë si një pikënisje për të forcuar përpjekjet tona dhe për të krijuar një botë më të drejtë për të gjithë. Në vazhdën e kësaj Konference dua të theksoj se “Agresioni rus në Ukrainë është një shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare dhe e sovranitetit të një vendi të pavarur. Ky veprim i paligjshëm dhe i paprovokuar, është dënuar masivisht nga komuniteti ndërkombëtar, andaj eshtë detyra jonë të qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe të dënojmë pa ekuivokë agresionin rus dhe të rrisim ndërgjegjësimin në të gjitha sferat e shoqërisë.” – u shpreh Kryetari Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërkaq, Drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor Mr. Sc. Donika Kamberi në cilësinë e koordinatores së Konferencës tha: “Kanë kaluar disa vite që unë e drejtoj këtë qendër dhe gjatë këtyre viteve kemi organizuar shumë tryeza diskutimi, kemi trajtuar çështje të rëndësishme, kemi botuar raporte e revista shkencore. Por, gjatë këtyre viteve kam kuptuar dy gjëra. E para është se PAQJA është koncepti më i brishtë që ka ekzistuar ndonjëherë në fjalorin e njeriut; nuk është diçka që qëndron në vakum, por është një proces dhe ndonjëherë proceset kanë tendencën të kthehen prapa dhe, e dyta është se Churchill-i kishte të drejtë kur tha se “Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë”. Shumë ndodhi e kanë tronditur njerëzimin, por lufta në Ukrainë rezonon thellë sidomos me ata që jetojnë në këtë regjion të brishtë të divergjencave dhe kundërthënieve. Rajoni ynë me historinë e tij të dhimbshme të konflikteve dhe ndasive e kupton shumë mirë çfarë është lufta dhe humbjet që vijnë si pasojë e saj. Kostot njerëzore të luftës, tingujt e së kaluarës na rikujtojnë nevojën e urgjente për të qëndruar solidarë me Ukrainën dhe të forcojmë rrugën e integrimit në BE dhe vizionin Transatlantik.” – tha Mr. Sc. Donika Kamberi.
Prof. Daniel Serwer si folës kryesor i Konferencës, në referimin e tij: “A po perëndon dielli në perëndim?” erdhi tek të pranishmit me një studim të thuktë të skenarëve të mundshëm në mes SHBA-ve si superfuqi që nuk parashikojnë hapa konkretë rreth involvimit në konfliktet e hapura dhe deri diku me nota pesimiste theksoi faktin që SHBA-të mund të bëjnë më mirë në politikën e jashtme. Ai ngeli i impresionuar me arritjet e Universitetit të Tetovës dhe të kombit shqiptar, impresion të cilin e shprehu publikisht.
Ndërkaq znj. Sonja Biserko, Presidente e Komitetit të Helsinkit në Beograd, gjithashtu u shpreh me përshtypje pozitive për kombin dhe arritjet e Universitetit të Tetovës dhe vlerave që ai përçon. Në referimin “Influenca malinje ruse në Ballkan” që është studim i saj i kahmotshëm për trajektoren e rolit destruktiv të Serbisë dhe Republika Sërpskës si zgjatim i politikës ruse në Ballkan, ajo tha se Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si një mundësi për të ndaluar integrimin e tyre në BE dhe në NATO dhe rrjedhimisht veprimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor synojnë të mbajnë një “status quo” dhe të parandalojnë zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së.
Në fund të fjalimeve të tyre, Kryetari i Senatit i dekoroi dy figurat prominente me Çmimin për
Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza” ndërsa i lexoi edhe motivet mbi të cilat Senati i UT-së e ndan Çmimin për Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza”.
“Unë gjithmonë kam ndier një obligim moral për të shpërblyer përpjekjet dhe kontributin e Profesor Daniel Serwer dhe znj. Sonja Biserko. Prandaj, nga ky pozicion ku jam për herë të parë, Senati i Universitetit të Tetovës miratoi unanimisht idenë time dhe kërkesën e Qendrës për Paqe që Çmimi për Paqe dhe Humanizëm “Nënë Tereza” të ndahet për dy figura të shquara që kanë shërbyer si një kompas moral për Universitetin tonë. Ky çmim ndahet për përkushtimin e shkëlqyer në promovimin e paqes dhe humanizmit. Përpjekjet tuaja kanë pasur një ndikim të thellë në promovimin e vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe avancimit të parimeve të humanizmit. Me veprimet tuaja, ju keni frymëzuar të tjerët të bashkohen me kauzën e lartë të ndërtimit të një shoqërie paqedashëse.” – kështu e përmbylli fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Kjo akademi u përmbyll me një pikë instrumentale nga violinisti i njohur Shkëlzen Pajaziti.