//Në Universitetin e Tetovës u zhvillua tryezë e rrumbullakët për afirmimin e rolit të psikologut

Në Universitetin e Tetovës u zhvillua tryezë e rrumbullakët për afirmimin e rolit të psikologut

2019-04-12T15:21:14+00:00 Prill 11, 2019|
Katedra e Psikologjisë e Fakultetit Filozofik të UT- së, sot organizoi tryezë të rrumbullakët, me temë: “Afrimimi dhe roli i psikologut – sfidat dhe perspektivat”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte që panelistët t’i shpalosin idetë e tyre nëpërmjet prezantimeve shkencore, si dhe ta sjellin në vëmendjen e opinionit publik rolin e psikologut si profesionist. Gjithashtu, panelistët e kësaj tryeze, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, Prof. Dr. Qufli Osmani, Marjana Jovanovska Stojanovska, Blerim Nebiu, Zhaneta Tonçeva, si dhe Mevlanë Zylfiqari, diskutuan edhe rreth krijimit të një kornize akademike në funksion të institucionalizimit të rolit të psikologut në mjedise të ndryshme profesionale, mes këndvështrimit të psikologut dhe menaxhmentit të shkollës.
Organizimit të kësaj tryeze i parapriu takimi zyrtar me Rektorin e UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ku bë edhe nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim shkencor dhe profesional mes Universitetit të Tetovës dhe Odës së Psikologëve të Maqedonisë së Veriut, në fushën e trajnimit, thellimit të njohurive dhe shkëmbimit të informatave dhe përvojave për hulumtime, tubime shkencore, projekte zhvillimi dhe projekte të tjera me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimin e veprimtarisë psikologjike.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, vlerësoi që rezultatet e këtij bashkëpunimi akademik e shkencor do të jenë mjaft pozitive në këmbim të ideve e mendimeve dhe do të materializohet nga ana e palëve nënshkruese.
Kryetarja e Odës së Psikologëve, Marjana Jovanovska Stojanovska, tha se Universiteti i Tetovës është vendi ku përgatiten psikologë të cilët më pas edhe do të jenë anëtarë të Odës së Psikologëve, ku së bashku dhe me forcat tona do ta ndërtojmë dhe përparojmë profesionin e psikologut në vendin tonë.
Në të ardhmen pritet që Universiteti i Tetovës dhe Oda e Psikologëve të realizojnë bashkëpunim profesional me profesorët e Katedrës së Psikologjisë si dhe do të iniciojnë projekte të përbashkëta.

Zyra për Informim